Ministri i Jashtëm i Iranit ka paralajmëruar se Teherani do të veprojë me “zero kufizime” nëse do të ketë sulme të tjera mbi infrastrukturën e tij.
Kjo vjen një ditë pas sulmit izraelit mbi fushën e gazit South Pars, pjesë e fushës më të madhe të gazit natyror në botë, që ndodhet në Gjirin midis Iranit dhe Katarit.
Mbrëmë, Irani sulmoi kompleksin energjetik Ras Laffan në Katar, një veprim i cilësuar nga kryeministri katarez si “shkallëzim shumë i rrezikshëm nga iranianët”.
Po sot, rafineria e naftës në Haifa të Izraelit u dëmtua nga çfarë mediat izraelite e përshkruan si copa metalike të rëna pas bombardimeve raketore nga Irani.
Sulmet mbi sektorin energjetik janë “pikërisht ajo që frikësonin vendet arabe të Gjirit”, thotë korrespondenti i sigurisë i BBC-së, Frank Gardner, raporton BBC.
Britania, Franca, Gjermania dhe aleatët kanë dënuar sulmet iraniane mbi infrastrukturën civile dhe kanë kërkuar nga Teherani të ndalojë kërcënimet ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit.
Trafiku në këtë rrugë kyçe për transportin e energjisë ka ardhur në një pezullim praktik pas kërcënimeve iraniane për të “shkaktuar zjarr” mbi anije.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump tha se nuk ka plane për dërgimin e trupave tokësore në Lindjen e Mesme. Ai gjithashtu deklaroi gjatë takimit me kryeministrin japonez në Zyrën Ovale se operacioni në Iran është “përpara afatit të parashikuar”.
Ndikimet e sulmeve të fundit mbi infrastrukturën energjetike ndihen edhe më gjerë, pasi çmimi i gazit në Europë është më shumë se dyfishuar që nga fillimi i luftës midis Iranit dhe SHBA-së dhe Izraelit.
