Irani po arrin të rikthejë në funksion bunkerët dhe silosët raketorë vetëm pak orë pasi ato goditen nga sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit, sipas vlerësimeve të fundit të inteligjencës amerikane.
Zyrtarët amerikanë besojnë se, pavarësisht bombardimeve intensive, Teherani vazhdon të ruajë një numër të konsiderueshëm raketash dhe lëshuesish mobilë.
Raportimet, të cituara nga The New York Times, sugjerojnë se objektivi i Uashingtonit për të shkatërruar kapacitetet balistike të Iranit mund të mos jetë arritur plotësisht. Një nga arsyet kryesore është përdorimi i mashtrimeve nga ana e Iranit, përfshirë vendosjen e pajisjeve të rreme, që e vështirësojnë vlerësimin e dëmeve reale.
Sipas inteligjencës, edhe kur bunkerët nëntokësorë duken të dëmtuar, lëshuesit mund të nxirren shpejt nga rrënojat dhe të rikthehen në përdorim për sulme të reja. Një zyrtar i lartë perëndimor ka bërë të ditur se Irani po lëshon çdo ditë mesatarisht 15 deri në 30 raketa balistike dhe 50 deri në 100 dronë sulmues në rajon.
Ndërkohë, raportime të tjera, përfshirë ato nga CNN, tregojnë se rreth gjysma e lëshuesve të raketave balistike të Iranit mbeten ende funksionalë, pavarësisht më shumë se një muaji sulmesh të vazhdueshme.
Nga ana tjetër, zyrtarët amerikanë dhe izraelitë publikisht kanë shprehur optimizëm për suksesin e operacioneve ushtarake. Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se objektivat kryesore janë afër përmbushjes, ndërsa Shtëpia e Bardhë pretendon se sulmet iraniane me raketa dhe dronë janë ulur ndjeshëm.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë ka theksuar se kapacitetet ushtarake të Iranit janë dëmtuar rëndë, duke përfshirë shkatërrimin e një pjese të madhe të infrastrukturës prodhuese dhe dominimin ajror të SHBA-së dhe Izraelit mbi territorin iranian.
Megjithatë, këto deklarata bien në kontrast me vlerësimet e inteligjencës, të cilat sugjerojnë se Irani po ruan ende aftësi të konsiderueshme për të vazhduar sulmet dhe për të ushtruar presion në rajon.
Që nga fillimi i konfliktit, Irani ka lëshuar mbi 500 raketa balistike drejt Izraelit, ndërsa shumica e tyre janë interceptuar. Megjithatë, disa goditje kanë arritur të depërtojnë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në zona të banuara.