Një ish-zyrtar i lartë i Agjencisë Amerikane të Luftës kundër Drogës (DEA), Paul Campo, është arrestuar dhe vënë nën akuzë nga autoritetet federale të SHBA-së, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar me kartelin meksikan Jalisco New Generation (CJNG) për trafik droge dhe pastrim parash.
Akuzat u publikuan të premten, ndërsa Campo – i cili ka shërbyer për gati 25 vjet në DEA – u paraqit në gjykatë, u deklarua i pafajshëm, por u la në paraburgim.
Sipas prokurorëve të Distriktit Jugor të Nju Jorkut, Campo dhe bashkëpunëtori i tij, Robert Sensi, dyshohet se kanë konvertuar para “cash” në kriptomonedha për të blerë 220 kilogramë kokainë me vlerë rreth 5 milionë dollarë.
Po ashtu, ata dyshohet se kanë pastruar 750 mijë dollarë nga shitjet e drogës në emër të CJNG-së, të cilin Departamenti i Shtetit e ka shpallur këtë vit si organizatë të huaj terroriste. Në total, dy të dyshuarit dyshohet se kanë rënë dakord të pastrojnë të paktën 12 milionë dollarë për kartelin.
Hetuesit thonë se Campo dhe Sensi janë takuar disa herë me një burim konfidencial të qeverisë amerikane, i infiltruar duke u shtirur si përfaqësues i kartelit, shkruan A2 CNN. Gjatë një takimi në Nju Jork, Campo madje ka shfaqur distinktivin e tij të vjetër të DEA-s, duke pretenduar se “ndihmon klientët të rikuperojnë paratë e tyre”.
Në një operacion të mëvonshëm, burimi u kërkoi të merrnin pjesë në një marrëveshje të madhe droge. Si pjesë e skemës, Campo dhe Sensi transferuan mbi 200 mijë dollarë në kriptomonedha në një portofol që besonin se i përkiste shitësit të drogës – por që në fakt kontrollohej nga Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme (IRS).
Të dy burrat po përballen me akuza për komplot në trafik droge, narko-terrorizëm, dhënie mbështetjeje materiale për CJNG-në dhe pastrim parash. Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet për rastin vazhdojnë.