Atë që e tha 18 vite më parë, në Kuvendin e Kosovës Hashim Thaçi e riktheu por në gjykatoren e Dhomave të Specializuara për Kosovë.
“Duke ndjerë të rrahurat e stërgjyshërve tanë, shpallëm Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik”, ka deklaruar Hashim Thaçi, ish-president i Kosovës.
Në fjalën e tij përfundimtare, ish-presidenti Thaçi me zë të emocionuar në fillim, tha se është i pafajshëm derisa i quajti pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të pavërteta, absurde e ofenduese.
“Prokuroria pretendon se qëllimi ishte marrja dhe ushtrimi i kontrollit të Kosovës, kjo jo vetëm që është krejtësisht e pavërtetë, tejet absurde por është edhe ofenduese. Është ofendim për kujtimin e mijëra heronjve, që dhanë jetën për liri. Është ofendim për dhjetëra mijëra viktima të pafajshme të vrara gjatë masakrave, është ofendim dhe e padrejtë edhe për përpjekjet e NATO-s dhe aleancës perëndimore që unë bashkëpunova ngushtë”, ka deklaruar Thaçi.
Thaçi foli edhe për kohën kur ishte votuar kjo Gjykatë, e cila do t’ia jap verdiktin final.
“Unë jam kritikuar shumë dhe kritikohem ende në Kosovë se pse e mbështetëm themelimin e kësaj gjykate, kritikët thonë se kjo gjykatë synon kriminalimin e luftës sonë për liri dhe idenë e pavarësisë, këtë nuk e kam besuar në atë kohë kur e votuam por uroj sinqerisht që koha të dëshmojë që unë kisha të drejtë e kritikët e kishin gabim”, ka dekalruar ai.
I dyti në radhë për të shfrytëzuar 20 minutshin, ishte ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Ai tha se vazhdon të besojë në drejtësi dhe se e vërteta do të triumfojë.
“Krijimi i kësaj gjykate dhe funksionimi i saj është rezultat i një debati të gjerë në vendin tim. Por ajo çka duhet të mbizotëroj prej saj është drejtësia dhe paanshmëria në gjykimin e të vërtetës dhe realitetit objektiv mbi të cilin kemi vepruar ne. Unë qëndroj në këtë proces me bindje se e vërteta nuk ka arsye të ketë frikë nga drejtësia. Drejtësia mund të vonohet por nuk mohohet kurrë. Kam vepruar me këtë bindje dhe me siguri mund të them unë e di kush jam, unë e di çfarë kam bërë dhe çfarë nuk kam bërë. Veprimet e mija kanë qenë njerëzore dhe ligjore, ndërgjegjja ime është e pastër”, ka deklaruar Kadri Veseli, ish-kryetar i Kuvendit.
E ish-shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi tha se ZPS-ja është munduar ta njollosë historinë dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e që diçka të tillë nuk mund ta bëjë.
“Serbia kurrë nuk e fshihte qëllimin e saj ndaj shqiptarëve, prandaj pyes sërish çfarë duhej të bënim ne, ta prisnim radhën për tu vrarë apo të iknim nga vendi dhe shtëpitë tona, asnjërën dhe as tjetrën prandaj duhej të rezistonim prandaj unë besoja se Kosova kishte nevojë për vetëmbrojtje, kishte nevojë për njerëz që ishin të gatshëm të jepnin edhe jetën për vendin e tyre, kishte nevojë për dikë sic ishte Adem Jashari e Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka deklaruar Rexhep Selimi, ish-deputet.
Me kollaren me shqiponjë, i fundit që foli në gjykatore e që shpesh e tradhtonte zëri ishte Jakup Krasniqi.
“Qëndroj sot këtu para jush të nderuar qytetarë, jo si një kriminel që përshkruan aktakuza e prokurorisë por si një njeri i lindur dhe i kalitur në luftëra për dinjitet njerëzor nga një popull, që refuzoj të zhdukej nga politikat e krimit dhe gjenocidit të serbisë, pjesën më të madhe të jetës sime e kam, kaluar i udhehqeur nga bindja se qeniet njerëzore e meritojne të jetojnë në liri”, ka deklaruar Jakup Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit.
Tashmë edhe zyrtarisht çështja ndaj ish-krerëve të UÇK-së është përmbyllur e nga sot trupi gjykues ka kohë 60 deri në 90 ditë, për të shpallur aktgjykimin.
Në fjalën përfundimtare Prokuroria ka kërkuar për secilin prej tyre nga 45 vjet dënim, e avokatët mbrojtës lirimin e tyre, meqë akuzat e ZPS-së janë të pabaza dhe nuk ka prova konkrete për to.