Një ish-ministër i Energjisë në Ukrainë është ndaluar nga autoritetet teksa po përpiqej të largohej nga vendi, kanë bërë të ditur institucionet zyrtare.
Sipas Byrosë Kombëtare Kundër Korrupsionit të Ukrainës (NABU), ai u ndalua “gjatë kalimit të kufirit shtetëror”, në kuadër të hetimeve për rastin e njohur si “Midas”.
Edhe pse NABU nuk e përmendi emrin, disa media të njohura ukrainase raportojnë se bëhet fjalë për German Galushchenko, ish-ministër i Energjisë.
Galushchenko ishte larguar nga detyra vitin e kaluar, pasi u përfshi në një skandal korrupsioni që dyshohet se përfshin përvetësimin e rreth 100 milionë dollarëve në sektorin e energjisë. Ai raportohet se u ndalua teksa udhëtonte me tren për t’u larguar nga Ukraina, ndërsa nuk dihet destinacioni i tij.
Hetimet e quajtura “Operacioni Midas” janë rezultat i një pune 15-mujore të NABU-së dhe Prokurorisë së Specializuar Kundër Korrupsionit (SAP). Sipas autoriteteve, disa zyrtarë dyshohen se kanë organizuar një skemë për përvetësimin e fondeve në sektorin energjetik, përfshirë kompaninë shtetërore të energjisë bërthamore Energoatom.
Galushchenko dyshohet se ka përfituar ryshfete në vlerë prej 10% deri në 15% të kontratave të lidhura me kontraktorët e Energoatomit. Autoritetet kanë deklaruar se shuma të mëdha parash janë pastruar përmes kësaj skeme dhe janë transferuar jashtë Ukrainës, përfshirë edhe në Rusi. Madje janë publikuar edhe fotografi me çanta të mbushura me para të gatshme.
Radio Free Europe raportoi se ish-ministri po transportohej drejt Kievit për t’u marrë në pyetje, pasi rojet kufitare ishin udhëzuar të njoftonin autoritetet në rast se ai tentonte të largohej nga vendi, raporton BBC.
Skandali ka rritur presionin ndaj administratës së presidentit Volodymyr Zelensky, i cili kishte ardhur në pushtet me premtimin për të luftuar korrupsionin, pak para nisjes së pushtimit të plotë rus në vitin 2022. Shefi i kabinetit të tij, Andriy Yermak, dha dorëheqje pasi banesa e tij u kontrollua, ndonëse as ai dhe as presidenti nuk janë akuzuar për ndonjë shkelje.
Ndërkohë, ish-zëvendëskryeministri Oleksiy Chernyshov u arrestua në nëntor nën dyshimin për “pasurim të paligjshëm”, pasi më herët ishte akuzuar për shpërdorim detyre. Biznesmeni Timur Mindich, bashkëpronar i studios televizive të mëparshme të Zelenskyt, Kvartal95, raportohet se është larguar nga vendi pasi u identifikua si i dyshuar.
Skandali ka shkaktuar reagime të ashpra në opinionin publik, sidomos pasi shpërtheu në një kohë kur Rusia po intensifikonte sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, në prag të një dimri të ashpër.
Lufta kundër korrupsionit mbetet një nga kushtet kyçe për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian.