Isufaj: Prokuroria Speciale do të veprojë me vendosmëri

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka prezantuar të hënën aktivitetet dhe rezultatet e institucionit gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, duke vlerësuar se lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, terrorizmit, spiunazhit dhe krimeve të luftës ka shënuar progres përmes hetimeve komplekse dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Në një konferencë për media, Isufaj tha se Prokuroria Speciale ka zhvilluar operacione të koordinuara me Policinë e Kosovës dhe autoritetet e Francës, Italisë, Spanjës, Gjermanisë, Shqipërisë, Mbretërisë së Bashkuar, si dhe me EUROPOL-in dhe EUROJUST-in.

Ai veçoi operacionin ndërkombëtar të realizuar më 30 qershor, që lidhet me hetimin e pastrimit transnacional të parave të përfituara nga trafikimi i narkotikëve, duke e cilësuar bashkëpunimin ndërkombëtar si një nga mekanizmat më efektivë në luftimin e krimit të organizuar.

“Ky veprim i koordinuar dëshmon se bashkëpunimi ndërkombëtar mbetet një nga mekanizmat më efektivë për identifikimin, hetimin dhe ndërprerjen e rrjeteve kriminale që dëmtojnë sundimin e ligjit dhe sigurinë publike. Më 30 qershor zhvilluam edhe një takim me përfaqësues të autoriteteve të Spanjës, Francës, Italisë, Gjermanisë, Shqipërisë, Britanisë së Madhe dhe EUROPOL-it. Ata u shprehën të kënaqur me punën e Prokurorisë Speciale dhe u dakorduam ta vazhdojmë bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar”, deklaroi Isufaj.

Sipas tij, luftimi i krimit të organizuar, forcimi i sundimit të ligjit dhe ndërtimi i një mjedisi të sigurt mbeten prioritete të vazhdueshme të Prokurorisë Speciale.

“Operacioni i realizuar më 30 qershor dërgon një mesazh të qartë: Prokuroria Speciale do të veprojë me vendosmëri, në mënyrë të koordinuar dhe të qëndrueshme me autoritetet e tjera të zbatimit të ligjit. Çdo goditje ndaj grupeve kriminale është investim në sigurinë e qytetarëve, ekonominë e ligjshme dhe besimin ndaj institucioneve të drejtësisë”, theksoi ai.

Kryeprokurori rikujtoi edhe operacionet “White Star”, “Mega” dhe pjesëmarrjen e Prokurorisë Speciale në operacionin ndërkombëtar “Switch Off”, të cilat rezultuan me arrestime, sekuestrime të substancave narkotike dhe hetime për financim të terrorizmit, pastrim parash dhe krim të organizuar.

Sa i përket rezultateve në procedurat penale, Isufaj bëri të ditur se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit janë shënuar aktgjykime fajësuese në disa raste të rëndësishme, përfshirë raste të spiunazhit, rastin “Banjska”, rastin e njohur si “400 kilogramë kokainë”, si dhe në disa raste të krimeve të luftës.

Ai shtoi se Prokuroria Speciale ka vazhduar hetimet edhe për krimet e luftës dhe se disa aktakuza të tjera pritet të ngrihen deri në fund të këtij viti.

Isufaj njoftoi gjithashtu se një numër i konsiderueshëm i të dyshuarve për vepra të rënda penale vazhdojnë të mbahen në paraburgim, ndërsa hetimet po zhvillohen në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës për sigurimin e provave dhe ndërtimin e rasteve të qëndrueshme për gjykatë.

Në përmbyllje të konferencës, ai ritheksoi përkushtimin e Prokurorisë Speciale për forcimin e sundimit të ligjit.

“Prokuroria Speciale do të veprojë me vendosmëri, në mënyrë të koordinuar dhe të qëndrueshme me autoritetet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë. Çdo goditje ndaj grupeve kriminale është investim në sigurinë e qytetarëve, mbrojtjen e ekonomisë së ligjshme dhe forcimin e besimit në sistemin e drejtësisë”, përfundoi Kryeprokurori Blerim Isufaj.

Të fundit nga rubrika