Izraeli do të rihapë pikën kufitare Rafah pasi të përfundojë kërkimi për trupin e pengut të fundit

Izraeli ka njoftuar se do të rihapë pikën kryesore kufitare të Gazës me Egjiptin, Rafahun, vetëm pasi të përfundojë operacioni për gjetjen dhe kthimin e trupit të pengut të fundit izraelit që ndodhet ende në territorin e Gazës.

Kalimi i Rafahut ka qenë kryesisht i mbyllur që nga maji i vitit 2024, kur forcat izraelite morën kontrollin e anës palestineze. Rihapja e tij ishte parashikuar në fazën e parë të armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, e cila nisi në tetor, por qeveria izraelite e ka kushtëzuar këtë hap me kthimin e trupit të policit izraelit, rreshterit Ran Gvili.

Të dielën, ushtria izraelite bëri të ditur se ka nisur një operacion të ri kërkimi për mbetjet mortore të Gvilit në veri të Gazës. Mediat izraelite raportuan se operacioni po zhvillohet në një varrezë në qytetin e Gazës dhe mund të zgjasë disa ditë.

Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu njoftoi se Izraeli ka rënë dakord për një rihapje të kufizuar të pikës Rafah, vetëm për kalim këmbësorësh dhe nën një mekanizëm të plotë inspektimi izraelit, pasi të përfundojë operacioni i kërkimit.

“Pas përfundimit të këtij operacioni, dhe në përputhje me marrëveshjen e arritur me Shtetet e Bashkuara, Izraeli do të hapë pikën kufitare Rafah,” thuhet në deklaratë.

Ushtria izraelite sqaroi se trupat kanë nisur një operacion të përqendruar në zonën e ashtuquajtur “Vija e Verdhë” në veri të Rripit të Gazës, zonë që mbetet nën kontroll izraelit sipas marrëveshjes së armëpushimit. Sipas zyrtarëve ushtarakë, operacioni bazohet në informacione inteligjence të mbledhura për një periudhë të gjatë, që sugjerojnë se mbetjet e Gvilit mund të jenë varrosur në lagjet Shejaiya dhe Daraj Tuffah, në lindje të qytetit të Gazës.

Në terren janë angazhuar njësi të specializuara, përfshirë rabinë, ekipe kërkimi dhe ekspertë dentarë, të pajisur me aparatura portative me rreze X.

Ndërkohë, krahu ushtarak i Hamasit, Brigadat Izzedine al-Qassam, deklaroi se u ka ofruar ndërmjetësve të gjithë informacionin që disponon lidhur me vendndodhjen e trupit të Gvilit, duke shtuar se forcat izraelite po kontrollojnë një nga vendet e përmendura.

Familja e Gvilit ka përsëritur kundërshtimin e saj ndaj rihapjes së pikës Rafah përpara se trupi i tij të kthehet në Izrael për varrim.

“Para së gjithash, Ran duhet të kthehet në shtëpi,” thuhet në deklaratën e familjes.

Ran Gvili, 24 vjeç, u vra në Kibbutz Alumim gjatë sulmit të udhëhequr nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, kur rreth 1,200 persona u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng. Trupi i tij u dërgua në Gaza.

Ndërkohë, përpjekjet diplomatike për zbatimin e fazës së dytë të planit të paqes për Gazën po vazhdojnë. Të shtunën, i dërguari special amerikan Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner, zhvilluan një takim me kryeministrin Netanyahu, të cilin Witkoff e cilësoi si “konstruktiv dhe pozitiv”.

Faza e dytë e planit parashikon krijimin e një qeverie teknokrate palestineze në Gaza, rindërtimin e territorit dhe çmilitarizimin e plotë, përfshirë çarmatimin e Hamasit dhe grupeve të tjera, raporton BBC.

Lufta në Gaza shpërtheu pas sulmit të 7 tetorit 2023, ndërsa ofensiva izraelite që pasoi ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 71,650 personave, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi.

Shija e redaktorit

Kosova ndër shtetet themeluese të Bordit të Paqes, nënshkruan Osmani

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka nënshkruar në themelimin e Bordit të Paqes, iniciativë kjo e udhëhequr nga presidenti amerikan, Donald Trump. Osmani gjatë momentit...

Osmani ftohet nga Trump t’i bashkohet Bordit të Paqes

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka pranuar ftesën personale të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovon në Gjilan lektyrat e reja për...

Nxënësit e klasave 1 deri në 5 të disa shkollave fillore në Gjilan kanë pasur mundësi që të njoftohen nga afër me lektyrat e...

Të fundit nga rubrika