Ushtria izraelite ka njoftuar se ka nisur një valë të re sulmesh ajrore në kryeqytetin iranian, Teheran, duke thënë se objektivat kanë qenë “infrastruktura e regjimit terrorist iranian”.
Sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), sulmet janë fokusuar në infrastrukturë ushtarake dhe strategjike në qytet.
Në një intervistë për kanalin amerikan Newsmax, kryeministri Benjamin Netanyahu tha se nuk do të vendosë një afat kohor për përfundimin e luftës, por shtoi se pas një muaji konflikti është “përtej gjysmës së objektivave”, duke sqaruar më vonë se i referohej misioneve dhe jo kohëzgjatjes.
Ai deklaroi se mijëra anëtarë të Gardës Revolucionare iraniane janë vrarë dhe se Izraeli, së bashku me SHBA-në, janë “afër shkatërrimit të industrisë së armëve” të Iranit, përfshirë, siç tha ai, impiante të tëra dhe programin bërthamor.
Netanyahu theksoi se ndryshimi i regjimit nuk është qëllim i luftës, por shprehu bindjen se Republika Islamike e Iranit mund të “shembet nga brenda”.