Ushtria izraelite ka urdhëruar të shtunën banorët e një qyteti në jug të Libanit të evakuohen përpara nisjes së sulmeve të reja, në shkeljen më të fundit të marrëveshjes së armëpushimit që është në fuqi që nga nëntori i vitit 2024.
Zëdhënësi ushtarak izraelit, Avichay Adraee, njoftoi në rrjetin social X se forcat izraelite pritet të godasin atë që e cilësoi si infrastrukturë ushtarake të Hezbollahut në fshatin Yanooh. Ai publikoi gjithashtu një hartë të një ndërtese të identifikuar si objektiv dhe u kërkoi banorëve të qëndrojnë të paktën 300 metra larg zonës.
Armëpushimi midis Izraelit dhe Libanit u arrit vitin e kaluar, pas më shumë se një viti përplasje të vazhdueshme të ndërlidhura me luftën në Rripin e Gazës, gjatë të cilave u vranë mbi 4,000 persona dhe u plagosën rreth 17,000 të tjerë.
Sipas marrëveshjes, ushtria izraelite duhej të tërhiqej plotësisht nga jugu i Libanit në janar të këtij viti. Megjithatë, tërheqja rezultoi vetëm e pjesshme dhe Izraeli vazhdon të mbajë prani ushtarake në pesë poste kufitare, pavarësisht obligimeve të përcaktuara në armëpushim.