Ushtria izraelite vazhdoi të shkelë marrëveshjen e armëpushimit, e cila hyri në fuqi më 10 tetor, duke intensifikuar sulmet ajrore dhe goditjet me artileri në katër qytete të Rripit të Gazës, si dhe duke shtuar shkatërrimin e banesave dhe objekteve të tjera.
Sipas dëshmitarëve okularë, ushtria izraelite që nga orët e mëngjesit ka kryer dhjetëra sulme ajrore në lindje të qyteteve Rafah dhe Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës, në zonat që kontrollon sipas marrëveshjes së armëpushimit.
Sulmet ajrore prekën gjithashtu disa pjesë të lagjeve Et-Tuffah dhe Shujaiyya në lindje të Qytetit të Gazës, të cilat, sipas marrëveshjes së armëpushimit, janë nën kontrollin e Izraelit, shkruan Anadolu, transmeton Dukagjini.
Sulmet ajrore u shoqëruan edhe nga shkatërrimi i banesave dhe objekteve me mjete të mbushura me eksploziv, si dhe goditje të vazhdueshme intensive të artilerisë, përfshirë edhe lindjen e qytetit Deir al-Balah në pjesën qendrore të Gazës.
Sipas korrespondentit të AA-së, bombardimet dhe shkatërrimet e kryera nga ushtria izraelite në Gaza janë përshpejtuar edhe më shumë ditët e fundit, ndërsa shumë automjete ushtarake kanë avancuar qindra metra në zonat nga të cilat ushtria izraelite ishte tërhequr në lindje të Qytetit të Gazës, sipas marrëveshjes së armëpushimit.
Ky avancim i mjeteve ushtarake ka shkaktuar zhvendosjen e qindra personave nga lagjet Shujaiyya dhe Tuffah, nga frika se bombardimet izraelite do të vazhdojnë ndërsa ushtria zgjeron kontrollin e saj.
Që nga fillimi i sulmeve izraelite në Rripin e Gazës në tetor të vitit 2023, më shumë se 69 mijë palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, kanë humbur jetën dhe mbi 170 mijë të tjerë janë plagosur. OKB-ja vlerëson se kostoja e rindërtimit arrin në rreth 70 miliardë dollarë.