Izraeli vret shefin e shtabit të Hezbollahut në Bejrut: sulmi shkel armëpushimin dhe rrit tensionet

Ushtria izraelite ka vrarë një figurë të lartë të Hezbollahut në një sulm ajror në periferinë jugore të Bejrutit, pavarësisht armëpushimit në fuqi.

Objektivi ishte Haitham Ali al-Tabtabai, shefi i shtabit të Hezbollahut, të cilin Izraeli e përshkroi si një veteran të grupit me një karrierë të gjatë në pozita të rëndësishme.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, sulmi goditi një ndërtesë banimi në lagjen e populluar Dahieh, duke lënë të paktën pesë të vrarë dhe 28 të plagosur.

Hezbollahu konfirmoi vrasjen e Tabtabait, duke e cilësuar sulmin si shkelje të një “vije të kuqe”. Ky është sulmi i parë i Izraelit në Bejrutin jugor pas disa muajsh.

Ngjarja ndodhi derisa Izraeli ka intensifikuar operacionet ndaj personave dhe objekteve që i konsideron të lidhura me Hezbollahun – grup shiit i mbështetur nga Irani – pavarësisht një armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe Franca që hyri në fuqi në nëntorin e kaluar.

Oficerët izraelitë akuzojnë Hezbollahun se po rindërton kapacitetet e tij ushtarake, po kontrabandon armë dhe po shton prodhimin e dronëve shpërthyes si alternativë ndaj raketave.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi pas sulmit se Izraeli “nuk do të lejojë” që Hezbollahu të rigjenerojë fuqinë e tij dhe kërkoi nga qeveria libaneze të përmbushë detyrimin për çarmatosjen e grupit.

Ndërkohë, Presidenti libanez Joseph Aoun kërkoi ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar për të ndalur sulmet izraelite dhe për të detyruar Izraelin të tërhiqet nga zonat në jug të Libanit që vazhdon t’i mbajë të pushtuara. Ai i cilësoi veprimet izraelite si shkelje të marrëveshjes që i dha fund konfliktit 13-mujor.

Qeveria e Libanit ka deklaruar se synon çarmatosjen e Hezbollahut, por grupi refuzon çdo diskutim mbi armët e tij derisa Izraeli të ndalë sulmet, të tërhiqet plotësisht dhe të lirojë të burgosurit libanezë.

Një zyrtar diplomatik perëndimor tha për BBC-në, në kushte anonimiteti, se autoritetet libaneze janë nën presion nga administrata Trump, e cila shpreh pakënaqësi për ritmin e ngadalshëm të veprimeve kundër Hezbollahut, të cilësuar si organizatë terroriste nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe vende të tjera.

Konflikti i fundit mes Izraelit dhe Hezbollahut shpërtheu pasi grupi libanez lëshoi raketa drejt pozicioneve izraelite një ditë pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023, duke thënë se veprimi ishte shenjë solidariteti me Gazën. Sipas autoriteteve libaneze, sulmet izraelite vranë rreth 4,000 persona – shumë prej tyre civilë – dhe zhvendosën mbi 1.2 milion banorë. Izraeli njoftoi se humbi më shumë se 80 ushtarë dhe 47 civilë.

Tabtabai ishte sanksionuar nga SHBA-ja që në vitin 2016 dhe ishte shpallur terrorist, me një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për informacione që çonin në gjetjen e tij. SHBA-ja e përshkroi atë si një figurë kyçe ushtarake të Hezbollahut, që më parë kishte komanduar forcat speciale të grupit në Siri dhe Jemen, duke kontribuar në operacionet destabilizuese të Hezbollahut në rajon.

Shija e redaktorit

Enise Zijade, vajza tjetër e argjendtë e Kosovës

Xhudistja kosovare Enise Zijade ka shkëlqyer sot në Podgoricë, duke u renditur e dyta dhe duke siguruar medaljen e argjendtë. Ajo nisi garën me një...

UEFA publikon oraret e play-off-it të Botërorit 2026: Kosova dhe...

UEFA ka zyrtarizuar oraret e gjysmëfinaleve të play-off-it për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohen më 26 mars 2026 në orën 20:45. Si...

Presidentja Osmani dekoron Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar sot Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”, si vlerësim për kontributin e tij mbi tri dekada për...

Të fundit nga rubrika