Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka njoftuar se është takuar me ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, në margjinat e një samiti global të mbajtur në Erie, Pensilvani.
Jahjaga ka thënë se gjatë këtij takimi e ka falënderuar Obamën për mbështetjen që SHBA i ka dhënë Kosovës gjatë mandatit të saj si presidente, por edhe për përkushtimin e vazhdueshëm të Washingtonit ndaj vendit.
Ajo ka theksuar se i ka kërkuar Obamës angazhim të mëtejshëm për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, të cilat sipas saj janë sfiduar pas pezullimit të dialogut strategjik.
Po ashtu, Jahjaga ka thënë se i ka kërkuar ndihmë edhe në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Ne margjinat e samitit, pata nderin të takoj Presidentin Barack Obama, të cilin e falënderova për mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë Kosovës gjatë mandatit tim, si dhe për përkushtimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara ndaj vendit tonë. Kërkova nga Presidenti Obama angazhimin e mëtejshëm në forcimin e marredhenieve ndermjet SHBA dhe Kosoves, te cilat jane sfiduar me pezullimin e dialogut strategjik se fundmi. Kerkova edhe ndihmen dhe perkrahjen e zotit Obama ne konsolidimin e shtetesise tone në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar ajo.
“Kosova nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrë aleat më të madh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli amerikan. Falë këtij partneriteti, ne sot gëzojmë lirinë, pavarësinë, njohjen ndërkombëtare dhe anëtarësimin në shumë organizata botërore. Për këtë mbetemi përjetësisht falënderues”, ka shkruar Jahjaga në Facebook.
Ajo ka marrë pjesë në samit me ftesë të The Jefferson Educational Society, ku ka folur për adresimin e pasojave të luftës gjatë mandatit të saj si presidente.