Analisti Shemsi Jashari, në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka komentuar dorëheqjen e papritur të Memli Krasniqit nga drejtimi i PDK-së, duke e vlerësuar këtë zhvillim si të pazakonshëm për rrethanat aktuale politike.
Jashari tha se, normalisht, një lider partie do të duhej të dilte nga një proces i rregullt zgjedhor i brendshëm, sipas statutit, por situata politike e ka shtyrë PDK-në drejt një vendimi të shpejtë.
“Duke qenë se jemi tash e ca kohë zgjedhje pas zgjedhjeve e po presim që do të ketë zgjedhje prapë… mendoj që PDK ka bërë mirë që, pas rezultateve të fundit dhe ngjarjeve që ndodhën, ta bëjë një freskim të strukturave të tyre”, u shpreh ai.
Jashari shtoi se brenda partisë po shihet e arsyeshme që në krye të vijë një figurë që gëzon mbështetje të madhe në elektoratin e PDK-së:
“Ta bëjë si propozim të mundshëm njërin prej figurave që duket se elektorati i PDK-së e don më së shumti, që është Bedri Hamza”.
Ai theksoi gjithashtu se të gjithë kandidatët e mundshëm kanë pasur kohën e nevojshme për të vepruar dhe për t’u pozicionuar.
“Të gjithë kandidatët e mundshëm kanë pas kohën e nevojshme dhe të njëjtë përpara, ashtu sikurse edhe vet Enver Hoxhaj e Bedri Hamza”, përfundoi Jashari.