Njohësi i çështjeve politike, Shemsi Jashari, ka vlerësuar se takimi i thirrur nga presidentja Vjosa Osmani me kryetarët e partive politike nuk pritet të prodhojë rezultat konkret, duke theksuar mungesën e vullnetit të sinqertë politik për tejkalimin e ngërçit qeverisës.
Presidentja Osmani ka ftuar liderët partiakë në një takim konsultativ të premten në mesditë, në përpjekje për të gjetur zgjidhje pas dështimit të mandatit të parë të Albin Kurtit për formimin e qeverisë.
Mundësia për krijimin e Qeverisë, Osmani fton në takim krerët e partive politike
Sipas Kushtetutës, kreu i shtetit ka 10 ditë kohë për të caktuar një mandatar të ri.
Megjithatë, sipas Jasharit, ky takim nuk pritet të sjellë ndonjë zhvillim të rëndësishëm.
Në FIVE të TV Dukagjinit, Jashari ka thënë se palët politike po hyjnë në takim me pozicione të ngurta dhe qëndrime të shpallura publikisht kundër njëra-tjetrës.
“Me të vërtetë është problem për të besuar që nesër do të ketë një rezultat. Për faktin se po hymë në këtë takim me pozicione të deklaruat publikisht kundër secilit. Dhe nuk kemi asnjë front të partive opozitare e as një përpjekje të sinqertë të partisë që ka fituar më shumë që të ofrojë zgjidhje për këtë situatë.
Dje e sot i pamë duke shprehur brengën që punëtorët do t mbesin pa paga, që punëtorët e RTK-së që përditë i sulmojnë, tash po vajtojnë në publik se po mbesin pa paga. Nuk e di për VV-në a kanë pas dilemë që kalendari vjetor ndryshon. Janari është pikërisht në atë sezon kur ka qenë, dhjetori aty. Dhe e dimë kur fillon e mbyllet viti. Dhe ata nuk do të duhej t’i befasonte tash ardhja e nëntorit dhe dhjetorit që të shqetësohen kaq shumë, që po mbesin punëtorët pa paga. Ligji i buxhetit i ka datat, kur diskutohet, kur procedohen në publik dhe kur miratohet. Dhe krejt kjo nuk do të duhej ta nxënë në befasi VV-në. Dhe tash për efekt fushate me shpreh gjoja se po brengosen kaq shumë”, ka thënë Jashari.