Kryetari i NISMA-s Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar ashpër ndaj idesë për të mbështetur qeverinë Kurti, duke deklaruar prerazi se nuk do ta votojë atë.
“Jo, nuk votoj. Jo me Dimal Bashën,” ka thënë Limaj, duke shtuar se për të është e papranueshme që një person si Dimal Basha të përfaqësojë institucionet publike.
Ai ka vënë në dyshim edhe mënyrën se si Basha është votuar, duke e cilësuar si një fyerje për ish-luftëtarët e UÇK-së.
“Kush e votoi Dimal Bashën dhe cila është arsyeja? A mundesh me imagjinu një djalë të UÇK-së që kur ka lyp votë, e ka dhënë votën atje, dhe t’i thuhet se kjo votë është për Dimal Bashën? Ai ka fyer rëndë UÇK-në. Ky njeri nuk është i denjë as të jetë referent e as pjesë e ndonjë institucioni publik”, ka deklaruar Limaj.
Në përfundim, ai ka shtuar se për të, Dimal Basha nuk përfaqëson asgjë, përveç “turpit më të madh që i ka ndodhur Kosovës”.
“S’është kryetar imi i Kuvendit. Ligjërisht po, por është turpi më i madh që i ka ndodhur Kosovës”.
“Nuk ka votë për qeverisje, as me votat e NISMA-s. Nuk kemi pasur asnjë takim pas zgjedhjes së Bashës dhe kemi kërkuar shkarkimin e tij. Dua ta shoh këtë si një aksident… por vendi nuk drejtohet kështu”, ka theksuar Limaj.