Po bëhen thuajse një muaj që humbën bijën e tyre 3-vjeçare nën rrethana të dyshimta.
Fidoena Shala ishte hospitalizuar në Klinikën e Ortopedisë si shkak i një operimi të një anomalie në këmbë me të cilën kishte lindur. E njëjta vdiq një ditë më vonë duke lënë pikëpyetje mbi rrethanat e vdekjes së saj.
Javë kanë kaluar, prindërit e së ndjerës shpresojnë se raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore do të hedhë dritë mbi rastin.
“Unë shpresoj dhe mendoj që IML do ta japë fjalën e vet me profesionalizëm, me kuptu rastin që edhe ne të kemi besim në organet e rendit. Bëj apel te IML që mos të manipulojë me rastin e vajzës time. Ju përulna si prind, mos të marrin veprime jokonform ligjit, veç atë ç’ka ka qenë, atë ç’ka ka ndodhë”, ka thënë Fidon Shala, babai i tre-vjeçares.
“Më s’maj ymyt. Djalin e kam njëjtë e s’guxoj me e qu ma, boll njëherë mu ka djeg zemra sot tri javë, prej mendëve s’po m’hiqet vallahi. Me m’shku çika mirë e shnosh tash me mbet tu e kujtu”, ka thënë nëna e tre-vjeçares, Albina Shala
Në një përgjigje, Prokuroria Themelore deklaroi se rasti po vazhdon të hetohet por pa dhëën detaje.
Megjithatë, avokati i familjes Shala thotë se intervistimet fillestare kanë përfunduar.
“Kam kërkuar që nëse dikush dyshohet, unë si përfaqësues i palës së dëmtuar me marr pjesë se kam disa pyetje për trajtimin e pacientit. Na kanë thirr zyrtarët, kemi shku me Fidanin dhe Albinën, prindërit, kanë dhënë deklaratë në cilësinë e dëshmitarit. Kam pyetur organet se kush është duke u hetuar. Më kanë thënë që nuk ka të dyshuar për momentin, mjekët dhe anesteziologu që kanë kryer operimin janë marrë në cilësinë e dëshmitarit”, ka thënë avokati, Afrim Shala.
Në Institutin e Mjekësisë Ligjore kanë treguar arsyet pse raporti ka mbetur pezull.
“Raporti nuk është përfunduar, sepse ende nuk është përfunduar ekzaminimi i mostrave biologjike të marra gjatë autopsisë. Momentalisht nuk mund te themi sa shpejt do të përfundojë ky raport sepse jemi jashtë funksionimit me dy laboratorët (toksikologji dhe histopatologji) për shkak se jemi në periudhë të renovimit të këtyre hapësirave”, ka thënë drejtori i Departamentit të Laboratorëve në IML, Agron Thaçi.
Televizioni ka kërkuar sqarime rreth procesit të hetimeve nga Policia e Kosovës por e njëjta, nuk ka kthyer përgjigje.
