Këshilltarja e Presidentes së Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, e cila mbrëmë në Debat Plus kishte kritikuar Presidenten Vjosa Osmani.
“S’ka vend për Vjosa Osmanin në LDK” – Bajrami thotë se i ka bërë dëm të madh partisë
Në një postim në Facebook, Kadaj-Bujupi ka cilësuar të pakuptimtë dhe të pashpjegueshme qëndrimin e një deputeteje të Kuvendit të Kosovës, profesoreshë universitare dhe nënkryetare partie, e cila, sipas saj, “nuk ka asnjë problem me subjektin më agresiv kundër shtetësisë sonë – Listën Serbe – por zgjedh të sulmojë publikisht Presidenten e Republikës”.
Ajo ka theksuar se Presidentja Osmani çdo ditë punon për forcimin e shtetit, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, ndërsa sulmet ndaj saj janë, siç i ka quajtur Kadaj-Bujupi, “pa motiv racional dhe me gjuhë ofenduese, shpifje e tentime për denigrim”.
“Vjosa Osmani nuk do zgjedhje, por t’i japë kohë Kurtit” – thotë Hykmete Bajrami
“Nuk ka asnjë kuptim e rezon shtetëror që një deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, profesoreshë universitare e madje nënkryetare e një partie tradicionale në politikën tonë, të mos ketë asnjë problem me subjektin më agresiv kundër shtetësisë sonë – Listën Serbe – por të zgjedhin të sulmojnë publikisht në një emision televiziv Presidenten e Republikës, pa asnjë motiv racional. Ato sulme po vazhdojnë edhe sot me gjuhë ofenduese e përplot shpifje e tentim denigrim.
Çfarë dëmi i ka bërë Kosovës Presidentja? Asnjë. Përkundrazi, ajo punon çdo ditë pa u ndalur për ta forcuar shtetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.
Cila është porosia që deputetja në fjalë ka dashur t’u përcjellë qytetarëve me këtë qëndrim? Mbetet të besohet se nuk i ka llogaritur mirë fjalët dhe emocionet, sepse vështirë të besohet që dikush të mos ketë problem me Listën Serbe, por të ketë problem me Presidenten e vendit të vet. Vetëm urrejtja patologjike mund të verbojë dikë kaq shumë sa që me dhjetëra herë t’i referohet Kreut të Shtetit vetëm me ‘Vjosa Osmani’ e jo si Presidente, logjikë kjo që e shohim vetëm në mediat e Serbisë. Presidentja Osmani nuk është person privat, por Presidente e Republikës së Kosovës që para se të zgjedhet nga Kuvendi mori bekimin e mbi 300 mijë votave të popullit të Kosovës. Këtë besim e mori sepse mbrojti të vërtetën dhe dinjitetin shtetëror.
Juve mund edhe t’ju shkoje mendja ndonjëherë të filloni beteja me Presidenten, por pastaj mos u ankoni për rezultatet zgjedhore, se edhe 12 përqindëshi do ju duket i mirë”, ka shkruar Kadaj-Bujupi.