Kadrijaj: Aleanca do t’i japë nënshkrimet për seancën e jashtëzakonshme

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, e ka cilësuar si politik aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të shpallur sot nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Kadrijaj ka thënë se procesi është bazuar, sipas saj, në dosje të hartuara nga Serbia dhe bashkëpunëtorë të saj.

“Jo në emër të popullit të Kosovës. Kjo gjykatë është puro politike, e hartuar me dosje të hartuara nga Serbia dhe bashkëpunëtorët e Serbisë”, ka deklaruar Kadrijaj para mediave.

Ajo ka thënë se UÇK-ja ka bërë një luftë të drejtë dhe çlirimtare, ndërsa ka kritikuar faktin që, sipas saj, ish-eprorët e UÇK-së janë dënuar në Hagë.

“UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë dhe çlirimtare. Një gjykatë e tillë duhej të krijohej në Serbi, jo të tejkalohej edhe populli dhe të dënoheshin eprorët tanë, të cilët kanë sjellë lirinë. Një masë e tillë është për turp. Çfarë ka ndodhur është për turp”, ka thënë ajo.

Sa i përket nismës për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për zhbërjen e Gjykatës Speciale, Kadrijaj tha se deri në momentin e deklarimit të saj nuk janë kontaktuar për dhënien e nënshkrimeve.

“Ende ende nuk jemi kontaktuar. Për momentin që do të kontaktohemi, ju e dini që Aleanca veç ka votuar kundër, do i japim nënshkrimet. Kemi qenë të gatshëm, ne do i përgjigjemi pozitivisht”, tha ajo.

Të fundit nga rubrika