Policia e Kosovës ka njoftuar për katër raste të dhunës në familje që kanë ndodhur për një ditë, në Prishtinë dhe Lipjan.
Rasti i parë është raportuar në ora 10:50 në Prishtinë, ku një burrë kosovar dyshohet se ka sulmuar fizikisht dy persona pas një mosmarrëveshjeje.
Viktimat kanë kërkuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt, me urdhër të prokurorit.
Në Lipjan, rreth orës 14:00, një tjetër burrë është shoqëruar për intervistim pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje kosovare.
Edhe ky rast është cilësuar si dhunë në familje dhe është proceduar në mënyrë të rregullt nga organet e drejtësisë.
Ndërkohë, një grua ka raportuar në Prishtinë se mes orës 11:00 dhe 17:00 është sulmuar fizikisht nga një mashkull pas një konflikti verbal.
Viktima nuk ka kërkuar trajtim mjekësor, ndërsa policia ka bërë të ditur se hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.
Rasti i fundit i dhunës është raportuar po ashtu në Prishtinë, në ora 20:45, ku janë arrestuar një grua dhe një burrë kosovar, të cilët pas një përplasjeje janë rrahur mes vete.
Të dyshuarit janë intervistuar dhe më pas janë liruar në procedurë të rregullt, sipas vendimit të prokurorit.