KE-ja bën ndryshime në raportin ku kërkohej nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut që t’i vënë viza Kosovës

Komisioni Evropian pranoi se në raportin vjetor të monitorimit për shtetet që kanë liberalizim të vizave, të publikuar më 5 dhjetor, gabimisht ka vendosur një pasues ku Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi i kërkohej që t’i vendosnin regjimin e vizave Kosovës. Kjo pjesë tashmë është ndryshuar

Ilustrim





Komisioni Evropian ka bërë ndryshim në raportin ku kërkohej nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut që t’i vendosnin regjim të vizave Kosovës.

Komisioni Evropian pranoi se në raportin vjetor të monitorimit për shtetet që kanë liberalizim të vizave, të publikuar më 5 dhjetor, gabimisht ka vendosur një pasues ku Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi i kërkohej që t’i vendosnin regjimin e vizave Kosovës.

Komisioni Evropian të martën pranoi se ishte bërë një lëshim në atë raport.

“Kosova është hequr nga pjesa e kapitujve për Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi”, thuhet në njoftim.

Komisioni Evropian tha se nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimet e tij dhe e mbështet fuqishëm liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke kërkuar që regjimi i vizave në Zonën Shchengen të hiqet pa vonesa për kosovarët, raporton REL.

Vendosja e pasuesit ku kërkohej që Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi t’i vendosnin viza kosovarëve për shkak të, siç u pretendua, se këto dy shtetet nuk i kanë përshtatur politikat e vizave me Bashkimin Evropian, shkaktoi reagime në Kosovë, përfshirë edhe nga ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami.

Ai e kishte cilësuar si “të papranueshëm vendosjen e regjimit të vizave”, por një ditë më pas, tha se KE-ja do ta përmirësojë këtë gabim.

“Mund të konfirmoj se nuk ka absolutisht asnjë ndryshim në qëndrimet e Komisionit Evropian, dhe ne absolutisht mbështesim lirinë e lëvizjes në rajon”, tha gjatë një konference për media, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer.

KE-ja tha se ky gabim do të përmirësohet përmes një versioni të ri të po të njëjtit raport. Ky institucion i BE-së tha se nëse ky lëshim do të ishte i vërtetë, ai do të ishte në kundërshtim me mbështetjen e deklaruar të BE-së për lirinë e lëvizjes mes shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, po ashtu ka mbështetur një marrëveshje të arritur në kuadër të Procesit të Berlinit, për lëvizjen e lirë vetëm me letërnjoftime midis shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Ndërkaq, zëdhënësja për çështje të brendshme e KE-së, Anitta Hipper, tha se KE-ja “tërësisht mbështet lirinë e lëvizjes në rajon dhe tërësisht mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën, si çështje me prioritet”.

“Sa i përket çështjes specifike nga rajoni, jemi duke e përmirësuar dhe do të dalë versioni i përmirësuar”, tha ajo.

Kosova është shteti i vetëm në rajon që nuk ka liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian. Aktualisht, Këshillit Evropian i është dhënë mandati që të negociojë procesin e vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.

Sipas vendimit, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.





Shija e redaktorit

Zgjedhjet lokale, nesër intervistohen mbi 50 mijë qytetarë për Exit...

Zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër në 38 komunat e vendit do të shënojnë një rekord historik sa i përket Exit Poll-eve. Në kuadër...

Debati për Prishtinën, paratë e mbledhura nga mesazhet në Debat...

Mbrëmë studio e Debat Plus ishte nikoqire e debatit më të madh e vendimtar në kuadër të garës për zgjedhjet lokale në Prishtinë. Kundër kandidatët...

Mijëra dronë “Skydagger” mbërrijnë në Prishtinë, njofton Kurti: FSK po...

Kontejnerë që mbajnë mijëra dronë luftarakë kamikazë të markës Skydagger mbërritën sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, njoftoi kryeministri në detyrë Albin Kurti. Sipas Kurtit,...

Të fundit nga rubrika