Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se, për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe përmbytjes së disa rrugëve lokale, ka lejuar hapjen e përkohshme për qarkullim të rrugës Vodicë–Dardhishtë, e cila kalon përmes zonës së KEK-ut.
Sipas KEK-ut, vendimi është marrë pas kërkesës zyrtare të Komunës së Obiliqit dhe është miratuar nga menaxhmenti i KEK Sh.A., me qëllim të lehtësimit të qarkullimit dhe sigurimit të lëvizjes së qytetarëve gjatë kësaj gjendjeje emergjente.
Rruga do të jetë e hapur vetëm përkohësisht, deri në normalizimin e situatës dhe rikthimin e kushteve të rregullta të qarkullimit në rrugët alternative.
KEK ka publikuar edhe një hartë orientuese ku është e shënuar qartë rruga e lejuar për qarkullim dhe ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë udhëzimet e sigurisë gjatë lëvizjes në këtë segment.
Vendimin e ka konfirmuar edhe Komuna e Obiliqit, e cila ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit dhe respektim të masave të sigurisë, derisa të tejkalohet situata e krijuar nga përmbytjet.