Prokuroria në Hagë ka kërkuar dënim për katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke propozuar nga 45 vjet burg për secilin prej tyre, që në total arrin në 180 vjet burgim.
Kërkesa u paraqit nga kryeprokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Kimberly West, gjatë fazës së fjalëve përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-shefit të deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi.
West theksoi se Prokuroria nuk po kërkon dënim për strukturat e përgjithshme të UÇK-së, por për përgjegjësinë individuale të secilit prej të akuzuarve.
“Faktet e këtij rasti dhe ligji i zbatueshëm mbështesin dhënien e një dënimi të gjatë me burg për secilin nga të akuzuarit. Një shpjegim i plotë i konsideratave përkatëse faktike dhe juridike është paraqitur në parashtresën përfundimtare të Prokurorisë në gjykim dhe nuk do t’i përsëris të gjithë faktorët këtu. Ndërkohë që kolegët e mi së shpejti do të theksojnë disa prova në prezantimet e tyre dhe do t’u përgjigjen disa argumenteve të Mbrojtjes, ne mbështetemi në parashtresën tonë, e cila e paraqet çështjen tonë në mënyrë më gjithëpërfshirëse. Megjithatë, është e rëndësishme që qëndrimi i ZPS-së të kuptohet qartë – një dënim fajësie dhe një sanksion penal nuk kërkohen kundër Shtabit të Përgjithshëm e as kundër UÇK-së.
Po ashtu, nuk kërkohet asnjë dënim fajësie dhe nuk mund të shqiptohet asnjë dënim vetëm mbi bazën e anëtarësisë në Shtabin e Përgjithshëm ose në UÇK. Përkundrazi, ZPS-ja ka kërkuar shpalljen fajtorë për të gjitha 10 pikat e aktakuzës dhe shqiptimin e një dënimi të vetëm prej 45 vjetësh burg, bazuar në kontributet individuale në kryerjen e krimeve (të përshkruara në Aktakuzë) të bëra nga secili prej Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto krime janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe janë të natyrës së rëndë. Dhe rëndësia e akuzave nuk është zbehur me kalimin e kohës”, ka thënë West.