Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore – Departamenti për Krime të Rënda, caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për katër persona të dyshuar për shpërndarje të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje.
Të dyshuarit M.B, A.L, A.B dhe SH.B akuzohen për “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, si dhe për “mbajtje të paautorizuar të armëve”.
Sipas prokurorisë, më 12 dhjetor 2025, të dyshuarit M.B dhe A.L kanë sjellë në Kosovë rreth 4,620 gram kokainë. Substanca narkotike është transportuar më pas në parkingun e një shtëpie në Veternik, ku planifikohej shitja.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit A.B, policia ka sekuestruar disa role plastmasi, doreza, gërshërë, lug kuzhine dhe një revole “Glock” 9mm me një fishek. Substancat dhe armët dyshohet se do të përdoren për shpërndarje droge dhe veprime të tjera të paligjshme.
Të dyshuarit ndodhen aktualisht nën masën e ndalimit 48-orësh nga Prokurori i Shtetit.
Njëri nga të pandehurit, L.Z, aktualisht gjendet në arrati.