Kërkohet shkarkimi i bordit të KPMM-së, dyshohet se u dëmtua për 9 milionë euro buxheti i shtetit

Komisioni parlamentar për Ekonomi i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës shkarkimin e bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minierale, pasi dyshohet se ka dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej 9 milionë eurosh

Deputeti i LVV-së, Armend Muja

Bordi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minierale (KPMM), është nën dyshime se ka dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej nëntë milionë eurosh. Për këtë arsye, Komisioni parlamentar për Ekonomi, në muajin janar, i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës shkarkimin e këtij bordi.

Kjo nismë, është iniciuar nga deputeti i Vetëvendosjes (VV), Armend Muja, i cili është anëtar i Komisionit për Ekonomi.

Rekomandimin për shkarkim e ka mbështetur edhe kryetari i Komisionit, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, por që ka kritikuar Vetëvendosjen se ky bord është emëruar pikërisht nga Qeveria aktuale.

Deputeti Armend Muja në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se Komisioni cilëson se bordi i KPMM-së ka bërë shkelje të Ligjit për miniera dhe minerale, duke shtuar se anëtarët e bordit përmes veprimeve ose mosveprimeve, qëllimisht apo nga neglizhenca, i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës në dobi të një kompanie nga Shqipëria

Po ashtu, Muja është duke dyshuar se ka pasur shkelje edhe të Udhëzimit Administrativ për rentën minerare.

“Në këtë rast ka pasur moszbatim të Udhëzimit administrativ për rentën minerare. Pra, auditori i brendshëm i këtij komisioni ka gjetur që ndërmjet vitit 2011 dhe 2021, ndërmarrja nuk ka raportuar sipas udhëzimit administrativ. Po ashtu, KPMM e ka themeluar një komision profesional për ta verifikuar atë gjendje dhe ky komision saktësisht ka gjetur se që nga viti 2011, ndërmarrja nuk ka raportuar sipas detyrimeve që kanë qenë në kuadër të Udhëzimit administrativ për rentë minerare. Çuditërisht, gjatë kohës sa Kuvendi ka qenë në pushim, gjatë verës, janë mbledhur prapë dhe ia kanë hequr atë detyrim pa marrë ndonjë shpjegim”, ka theksuar Muja.

Ndërsa, deputeti nga PDK-ja, Ferat Shala, ka thënë se bordi është i involvuar në disa situata të kundërligjshme.

“Para se të jap mendimin e fundit për këtë vendim të mazhorancës, ky bord ka ardhur si rekomandim direkt i kryeministrit dhe atëherë e kemi ngritur shqetësimin që ndërhyrjet e ekzekutivit, gjegjësisht të politikës në rregulloret e pavarura janë të papranueshme. Ka qenë dhe është bord të cilin e ka zgjedhur direkt Albin Kurti në zyrën e tij dhe tashmë parimisht është treguar që bordi ka qenë i papërgatitur, i paaftë, i involvuar në shumë situata, të cilat nuk ka menaxhuar sipas ligjit dhe rregullit”, është shprehur ai.

“Ditëve në vijim do të informoheni saktësisht për veprimet që komisioni dhe parlamenti do të marrë për bordin. Por, dihet se Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale po goditet rëndë si sektor bazik dhe rregullator i industrisë dhe i gjithë përpunimit të mineraleve në Kosovë”, ka thënë tutje Shala.

Ndërkaq, anëtarja tjetër e Komisionit për Ekonomi, Valentina Bunjaku, deputete nga radhët e LDK-së, nuk është pajtuar që të shkarkohen të gjithë anëtarët e këtij bordi.

Deputetja Bunjaku ka kërkuar që dy anëtarët tjerë të Bordit, të cilët kanë punuar për interesat e shtetit, në këtë rast për mosfaljen e rentës minerare, të mos shkarkohen.

Në dhjetor të vitit 2021, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur bordin e KPMM-së me këtë përbërje: Selvete Grajqevci Pllana, kryesuese e bordit, Jahir Gashi, anëtar, Gani Kastrati, anëtar, Gani Maliqi, anëtar dhe Rrezarta Pushkolli Makolli, anëtare.

Kuvendi i Kosovës në seancën e fundit, të enjten, pati në rend dite shkarkimin e këtij bordi, por për shkaqe procedurale me kërkesë të LVV, u hoq kjo pikë nga rendi i ditës. Ky rekomandim i Komisionit për Ekonomi pritet të shqyrtohet në një seancë tjetër të Kuvendit.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika