Kompania për Furnizim me Energji Elektrike në Kosovë (KESCO), ka njoftuar se sistemi elektroenergjetik në vend aktualisht po operon në kushte të vështira dimërore, për shkak të temperaturave të ulëta dhe rritjes së ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike për ngrohje.
Sipas KESCO-s, përdorimi i shtuar i energjisë ka ndikuar në rritjen e kërkesës, ndërsa në periudhat kur prodhimi vendor është i ulët, nevoja për import të energjisë elektrike rritet ndjeshëm.
Megjithatë, mundësitë për sigurimin e energjisë nga importi janë të kufizuara për shkak të kushteve teknike të sistemit elektroenergjetik në të cilin operon Kosova, duke e bërë të vështirë mbulimin e plotë të kërkesës në çdo moment.
“Temperaturat e ulëta dhe përdorimi i shtuar i energjisë elektrike për ngrohje kanë ndikuar në rritje të theksuar të konsumit. Në periudhat kur prodhimi vendor mbetet i ulët, nevoja për import të energjisë elektrike rritet ndjeshëm. Megjithatë, mundësitë për sigurimin e energjisë nga importi janë të kufizuara për shkak të kushteve teknike të sistemit elektroenergjetik në të cilin operon Kosova, duke e bërë të vështirë mbulimin e plotë të kërkesës në çdo moment”, thuhet në njoftim.
KESCO ka bërë të ditur se është vazhdimisht e angazhuar në shfrytëzimin e të gjitha mundësive për sigurimin e energjisë elektrike, përfshirë kontratat afatgjata dhe blerjet në tregjet afatshkurtra.
Po ashtu, KESCO u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që të përdorin me kujdes energjinë elektrike dhe të ndërmarrin masa konkrete për kursimin e saj, veçanërisht gjatë orëve të pikut.
