KFOR: S’ka dëshmi për kontrabandimin e armëve nga Serbia në Kosovë

"Prezenca e supozuar e armëve ilegale është raportuar në Shtabin e KFOR-it, por pas hetimeve të mëtejshme për të gjetur konfirmimin e kësaj, nuk ka dalë asnjë provë për atë që është raportuar. Nuk ka asnjë dëshmi edhe në lidhje me kontrabandën e supozuar të kryer përmes vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kishat ortodokse me autoambulanca", thuhet në përgjigjen e KFOR-it

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka deklaruar se nuk ka asnjë dëshmi për kontrabandim të armëve nga Serbia në Kosovë dhe shfrytëzim të kishave ortodokse për t’i mbajtur ato.

Në një përgjigje për RTV Dukagjini, KFOR thotë se për sundim të ligjit, përgjegjës janë organizatat e sigurisë së Kosovës.

Kjo vjen pas deklaratës së deputetes së parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, e cila ka thënë se në veri të Kosovës kontrabandohen armë që vijnë nga Serbia, dhe sipas saj, kjo bëhej me anë të ambulancave.

“Ngjarja e përmendur nga deputeti britanik i referohet vitit 2022 kur Batalioni Mbretëror Fusilier u punësua në veri të Kosovës, në mbështetje të misionit të KFOR-it. Prezenca e supozuar e armëve ilegale është raportuar në Shtabin e KFOR-it, por pas hetimeve të mëtejshme për të gjetur konfirmimin e kësaj, nuk ka dalë asnjë provë për atë që është raportuar. Nuk ka asnjë dëshmi edhe në lidhje me kontrabandën e supozuar të kryer përmes vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kishat ortodokse me autoambulanca. Për një informim të plotë, ky lloj aktiviteti i takon sundimit të ligjit që është nën përgjegjësinë e Organizatave të Sigurisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Ndryshe, Kearns në Parlamentin e Britanisë së Madhe ka thënë se Qeveria e Britanisë është informuar nga KFOR-i se në veri të Kosovës kontrabandohen armë që vijnë nga Serbia, dhe sipas saj, ato ruhen në kishat ortodokse serbe.

Deputetja Kearns tha se këto armë vijnë nga Serbia përmes autoambulancave.

“Kjo është arsyeja pse fotografia e sigurisë është kaq e rëndë. Për një kohë të gjatë nuk kemi arritur t’i ndalim milicitë e armatosura serbe që veprojnë në veri të Kosovës. Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona bëhen të vetëdijshme për këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, lejet zgjasin shumë. Deri në momentin që ka leje – të papritura – një ambulancë është paraqitur në kishë dhe ka nxjerrë përsëri të gjitha armët”, ka thënë ajo.

Kearns i ka bërë thirrje Qeverisë së Britanisë që ta bëjnë të qartë përkrahjen për Kosovën dhe sovranitetin e integritetin territorial të saj. Sipas saj, kjo bëhet duke e zgjeruar mandatin e KFOR-it për ta luftuar kontrabandën me armë nga grupet kriminale në veri.

Ndryshe, Milun Milenkoviq i njohur si “Llune”, “një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’”, është arrestuar nga Policia e Kosovës gjatë një aksioni në veri.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se i njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan para dy javësh.

Arrestimi i tij nxiti protestat e serbëve lokalë, me ç’rast janë sulmuar policët e Kosovës, tre prej të cilëve pësuan lëndime.

Shija e redaktorit

“Ishim të gatshëm ta japim jetën për ta mbrojtur Kosovën”,...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke qëndruar për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) me ç'rast ka vizituar ushtarët amerikanë të...

Konkursi për gradimin e policëve – “Të fortët” e Policisë...

Konkursi për gradim të policëve nga “Polic i lartë” në “Rreshter” u mbajt më 4 maj, dhe siç nënkuptohet edhe atë ditë do të...

Trepça triumfon në finalen e parë me rikthim ndaj Yllit

Finalja e parë e “Play-off”-it i ka takuar Trepçës. Mitrovicasit edhe pse ishin duke humbur me 13 pikë dallim, të përkrahur nga tifozët kanë...

Të fundit nga rubrika