KGJK-ja shkeli afatin ligjor për zgjedhjen e kryesuesit, por a do të ketë pasoja?

Anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës kanë shkelur rregulloren e tyre, meqë nuk kanë respektuar afatin për zgjedhjen e kryesuesit të ri. Pasi që mbledhjen e kaluar dështuan, anëtarët synojnë që kryesuesin e ri ta zgjedhin nesër, ndërkohë që njohësit e fushës së drejtësisë thonë se rregullorja ndonëse ka përcaktuar afate kohore, nuk ka paraparë pasoja nëse s’respektohet

Deri më 9 prill kanë pasur kohë anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës që të zgjedhin kryesuesin e ri.

Ky afat prej 30 ditësh prej kur skadon mandati i kryesuesit të kaluar, është i përcaktuar në Rregulloren e këtij institucioni, mbi organizimin dhe veprimtarinë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Megjithatë, mos mbajtjen e kësaj mbledhje brenda këtij afati, nga KGJK-ja janë arsyetuar me mungesën e njërit prej anëtarëve.

Lidhur me pyetjet dhe çështjet e ngritura në raport me mosmbajtjen e mbledhjes së Këshillit Gjyqësor të Kosovës gjatë kësaj jave, respektivisht deri më datë 10 prill 2026, ju njoftojmë se mos caktimi i mbledhjes brenda kësaj periudhe është bërë për shkak të pamundësisë të pjesëmarrjes së njërit nga anëtarët e Këshillit. Konkretisht, gjyqtari Fahret Vellija ka njoftuar Këshillin se për arsye shëndetësore, gjatë kësaj jave ndodhet jashtë vendit dhe për pasojë nuk mund të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit. Këshilli Gjyqësor i Kosovës mbetet i përkushtuar për të zhvilluar punën e tij me transparencë të plotë dhe në përputhje me parimet e funksionimit institucional.”- KËSHILLI GJYQËSOR I KOSOVËS

Sipas njohësve të fushës së drejtësisë, mos respektimi i afateve kohore për një pozitë kaq të rëndësishme, është papërgjegjësi e anëtarëve të KGJK-së.

“Duhet të kemi parasysh se KGJK-ja në vitet e fundit, si në përcaktime si në rregullore si akte nënligjore, gjatë zhvillimit të proceseve prej monitorimit që kemi bërë, i ka respektuar këto afate ligjore, por në rastin konkret jo, normalisht që një mosrespektim i tillë nënkupton shkelje të rregullores, nuk kemi një pasojë në rast se nuk respektohet kjo rregullore, pra rregullorja nuk parasheh”, ka thënë Flamur Kabashi – Hulumtues në IKD.

“Afatet dhe respektimi i tyre në procedurë qoftë gjyqësore apo administrative në procedurë janë jashtëzakonisht të rëndësishme, sa i përket zgjedhjes së kryesuesit të KGJK-së referuar dispozitave respektive mbi rregulloren për veprimtarinë e Këshillit ky i fundit obligohet se jo me vonë se 30 ditë, kur pozita të mbetet e lirë të plotësohet, dhe nuk është mirë që procedurat dhe afatet të respektohen aq më tepër afatet kur vetë organet e tilla i miratojnë”, ka thënë Ardian Bajraktari – Avokat.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka caktuar mbledhjen e radhës për të martën, pas dështimit të mbledhjes së kaluar shkaku i mungesë së kuorumit.

Në garë për kryesues të Këshillit, janë kandidatët Rrustem Thaqi e Besnik Bislimaj.

Të fundit nga rubrika