Autoritetet kineze kanë ekzekutuar 11 anëtarë të një familjeje mafioze famëkeqe që drejtonte qendra mashtrimesh online në Mianmar, pranë kufirit verilindor me Kinën, raportojnë mediat shtetërore kineze.
Anëtarët e familjes Ming u dënuan në shtator nga një gjykatë në provincën Zhejiang për një sërë krimesh të rënda, përfshirë vrasje, ndalim të paligjshëm, mashtrim financiar dhe menaxhim kazinosh ilegale, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Familja Ming ishte një nga disa klane që kontrollonin qytetin Laukkaing, duke e shndërruar atë nga një zonë e varfër kufitare në një qendër luksoze kazinosh dhe aktivitetesh ilegale.
Perandoria e tyre kriminale u shemb në vitin 2023, kur anëtarët e familjes u arrestuan dhe iu dorëzuan Kinës nga milicitë etnike, të cilat morën kontrollin e Laukkaing gjatë përshkallëzimit të konfliktit me ushtrinë e Mianmarit.
Me këto ekzekutime, Pekini po dërgon një mesazh të fortë parandalues ndaj rrjeteve të mashtrimeve online. Megjithatë, aktiviteti kriminal është zhvendosur drejt kufirit të Mianmarit me Tajlandën, si dhe në Kamboxhia dhe Laos, zona ku ndikimi i Kinës është më i kufizuar.
Sipas Kombeve të Bashkuara, qindra mijëra persona janë trafikuar në Mianmar dhe vende të tjera të Azisë Juglindore për të kryer mashtrime online. Shumë prej tyre janë shtetas kinezë, ndërsa viktimat e mashtrimeve, që kapin vlera miliardëshe, janë kryesisht nga Kina.
Të zhgënjyer nga refuzimi i ushtrisë së Mianmarit për të ndalur këtë aktivitet, nga i cili dyshohet se përfitonte, autoritetet kineze mbështetën në mënyrë indirekte një ofensivë të aleancës së rebelëve etnikë në shtetin Shan në fund të vitit 2023. Kjo aleancë mori nën kontroll territore të gjera dhe pushtoi Laukkaing-un.
Njëmbëdhjetë anëtarët e familjes Ming janë të parët drejtues të rrjeteve të mashtrimeve nga Mianmari që ekzekutohen nga Kina, por autoritetet paralajmërojnë se nuk do të jenë të fundit. Pesë anëtarë të familjes Bai u dënuan gjithashtu me vdekje në nëntor, ndërsa proceset gjyqësore ndaj familjeve Wei dhe Liu vazhdojnë.
Gjykimi ndaj familjes Ming u zhvillua me dyer të mbyllura, megjithëse mbi 160 persona, përfshirë familjarë të viktimave, morën pjesë në seancën e shpalljes së vendimit.
Sipas Gjykatës së Lartë të Kinës, aktivitetet kriminale të familjes Ming sollën mbi 10 miliardë juanë (rreth 1.4 miliardë dollarë) të ardhura mes viteve 2015 dhe 2023, dhe shkaktuan vdekjen e 14 shtetasve kinezë, si dhe plagosjen e shumë të tjerëve.
Më shumë se 20 anëtarë të tjerë të familjes u dënuan me burgime që variojnë nga pesë vjet deri në burgim të përjetshëm. Kreu i klanit, Ming Xuechang, kreu vetëvrasje në vitin 2023 gjatë përpjekjes për t’iu shmangur arrestimit, sipas ushtrisë së Mianmarit.
Dëshmitë e të arrestuarve u transmetuan në dokumentarë të mediave shtetërore kineze, si pjesë e fushatës së autoriteteve për çrrënjosjen e rrjeteve të mashtrimeve online.
