Një kioskë në Prishtinë do të kushtojë sa një makinë luksoze e për dikë, gati sa një shtëpi.
Ky është modeli i ri i kioskave që pritet të vendosen në kryeqytet, secila në vlerë të mbi 56 mijë eurove. (Foto)
Tenderin e hapur nga Komuna e Prishtinës e ka fituar kompania “Monting”, si kompania e vetme e cila konkurroi në tender.
Për arsyetimin e çmimit, Drejtori i Shërbimeve Publike ka udhëzuar Dukagjinin të drejtohet tek menaxheri i kontratës.
E ky i fundit, u tregua i rezervuar në detaje, e shpesh edhe i paqartë.
”S’është faji i komunës së Prishtinës pse është ky çmim është faji i kompanive publike që nuk kanë apliku, ka qenë treg i hapur ka mundur të gjithë të aplikojnë. Komuna e ka prioritet sepse ka pas mungesë të kiosqeve. Nuk hi në politika, gjithçka ka shku në procedura të rregullta”, ka thënë Afrim Gashi, Menaxher i kontratës.
Arsyetime mbi çmimin nuk ka pranuar të japë as ofertuesi.
Të dhënat e kontratës të gjitha detajet i keni në sistem, gjithçka është transparente dhe të gjitha shpjegimet i shihni në kontratë. – Enver Hasani, pronar i “Monting SH.P.K”
Bazuar në dokumentet e publikuara për detajet teknike, kioskat do të prodhohen nga materiali i poliesterit të përforcuar me fibra qelqi, material që supozohet të jetë rezistent ndaj kushteve klimatike.
Mes të tjerash, aty ndahen edhe detaje për ngjyrën dhe dyshemenë metalike.
Gjithashtu, në komision e ngritur për këtë tender, nuk ka qenë e ftuar Oda e Arkitektëve ndonëse Komuna e Prishtinës në fillim të qershorit nënshkroi memorandum bashkëpunimi për vlerësimin e ofertave të tenderëve.
Marrë parasysh këto, asamblistë nga radhët e LVV-së akuzuan Ramën për keqpërdorim të buxhetit.
”Është një shumë aq e lartë sa që nuk e kuptojmë ndryshe përpos si zhvatje me buxhetin e komunës së Prishtinës, zhvatje nga tatimpaguesit, është shumë tepër e lartë për një kioskë, më shumë se 5 mijë euro s’ka pas pse ngritet. Është kioskë, jo banesë”, ka thënë Besart Krasniqi, Asamblist i LVV.
Sipas monitoruesve të çështjeve të prokurimit të kësaj komune, kjo e fundit do mund të merrte të tjera veprime, në mungesë të konkurrencës.
“Komuna përcakton vlerën e parashikuar të kontratës, që në këtë rast është 5 milionë euro, ndërkohë që çmimi për një njësi lidhet në varësi të ofertës së përgjegjshme që rekomandohet për kontratë, por komuna ka përgjegjësi dhe obligim që të përcaktojë vlerën e parashikuar të kontratës pas një analize të tregut, dhe në rast se ofertuesi kishte çmime jashtëzakonisht të larta, kishte mundësi që të bënte anulimin e kontratës.” – Ardit Dragusha, nga “Demokracia Plus”
Vlera në total e kontratës është 5 milionë euro por në të njëjtën, përfshihet edhe ndërtimi i tualeteve publike, mbi 57 mijë euro për copë.