Klodian Braho është zgjedhur sot drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ai do të marrë detyrën pas përfundimit të mandatit të Altin Dumanit.
Braho u përzgjodh nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë përmes një procesi votimi të hapur dhe nominal, ku mori 7 vota. Ndërkohë, kandidati Adnan Xholi mori 3 vota, Elvin Gokaj mori 1 votë ndërsa Doloreza Musabelliu nuk mori asnjë votë, njofton RTSH.
Me 18 vite eksperiencë në sistemin e drejtësisë dhe si pjesë e SPAK që prej krijimit, Braho theksoi gjatë prezantimit para KLP-së arritjet e tij, mes tyre edhe konfiskimin e 18.4 milionë eurove të krimit në vitin 2023, një shumë sa dyfishi i buxhetit vjetor të institucionit.
Në vizionin e tij, Braho tha se synon konsolidimin e SPAK, forcimin e rolit të BKH-së dhe ngritjen e një sektori të posaçëm për analizën e informacionit. Ai u shpreh se lufta kundër korrupsionit dhe garantimi i barazisë para ligjit janë prioritetet kryesore të kandidimit të tij. Braho theksoi rëndësinë e mbështetjes së pavarësisë së prokurorëve.
Të katër kandidatët prezantuan sot platformat e tyre përpara anëtarëve të KLP-së, ndërsa të pranishëm në seancë ishin edhe e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, ambasadori i BE‑së Silvio Gonzato dhe ambasadori britanik Nicholas Abbott. Braho do të zëvendësojë në këtë detyrë Altin Dumanin, duke u bërë drejtuesi i tretë i Prokurorisë së Posaçme. I pari që drejtoi SPAK-un ishte Arben Kraja, i pasuar më pas nga Altin Dumani. Tashmë, Klodian Braho do të marrë drejtimin e institucionit për një mandat 3‑vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.
Karriera e Klodian Brahos
Ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës me rezultate të shkëlqyera.
Ka ushtruar funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Beratit dhe më pas në Prokurorinë e Vlorës, ku ishte pjesë e njësisë Task Forcë dhe për dy vite drejtues i saj, si dhe zëvendësdrejtues i prokurorisë.
Nga viti 2016 deri në 2019 ka punuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, si pjesë e njësisë për hetimin e korrupsionit dhe pasurisë, me kompetencë mbi zyrtarë të lartë shtetërorë, të zgjedhur vendorë dhe funksionarë të drejtësisë.
Prej ditës së parë të funksionimit të SPAK është pjesë e kësaj strukture. Që nga prilli 2023 mban detyrën e Drejtuesit të Seksionit Kundër Korrupsionit.