“Koha e një personi që vendos për gjithçka ka kaluar” – Ibrahimi kritikon Kurtin për fyerjet ndaj kryetarëve të komunave

Sazan Ibrahimi, drejtor i Asociacionit të Komunave të Kosovës, në një linjë direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur lidhur me deklarimet e kryeministrit në detyrë Albin Kurti për kryetarët e komunave.

Ai ka thënë se nuk është hera e parë që kryeministri në detyrë del me deklarata të tilla.

“Po mendojmë që as nuk është momenti, as koha që të ketë fyerje ndaj kryetarëve të komunave, të cilët kanë qenë të zgjedhur, janë të zgjedhur tash në raundin e parë, por edhe të cilët do të zgjidhen. Në vitin 2021, pas zgjedhjeve lokale, kemi pasur një deklaratë gjithashtu të kryeministrit Kurti, ku ka thënë se ‘krimi ka zbritur në nivel lokal’. Tani e kemi deklaratën tjetër që ‘nuk do t’u jap para kryetarëve që nuk dinë të punojnë apo që vjedhin’. Pra, këto janë deklarata që neve si asociacion na bëjnë të mendojmë se nuk i japin drejtim të duhur bashkëpunimit ndërinstitucional në radhë të parë”, ka thënë ai.

Më tej, Ibrahimi ka theksuar se institucionet qendrore duhet të tregojnë maturi dhe të mos shkaktojnë polarizime mes institucioneve qendrore dhe atyre lokale.

“Por të sjellin bashkëpunim, të sjellin debate të ndryshme që ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarit, e jo të kemi polarizime”, ka shtuar ai.

Tutje, ai ka theksuar se në shoqërinë dhe shtetin tonë demokratik nuk duhet të ketë tendencë që një person të vendosë se ku do të shkojnë paratë apo jo.

“Në Republikën e Kosovës janë institucionet e ndërtuara, e kemi legjislacionin në fuqi, nuk ka mundësi që një person të vendosë në demokracinë e zhvilluar të Republikës së Kosovës se ku do të shkojnë mjetet buxhetore. Janë formulat e caktuara në legjislacionin përkatës… dhe ka kaluar koha kur ka vendosur një person se ku do të dërgohen mjetet buxhetore nëpër komunat e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Ibrahimi.

Më tej, ai ka shtuar se deklarata e Kurtit ka shkaktuar indinjatë tek kryetarët e komunave.
Sipas tij, nuk është kryeministri ai që mund të vlerësojë se “kush është duke vjedhur”, por institucionet përkatëse të drejtësisë, të cilat merren me këto çështje.

“Ne po mendojmë që as te çështja buxhetore, as te çështja e drejtësisë, e as te çështja se kush zgjidhet kryetar, nuk mund të vendosë një person”, ka përfunduar Ibrahimi.

Shija e redaktorit

Rama e Çeku përballen më 6 nëntor për Prishtinën në...

Të enjten, studio e “Debat Plus” në TV Dukagjin do të jetë nikoqire e debatit vendimtar për garën për Prishtinën në raundin e dytë...

Njohja nga Siria, ambasadori gjerman përgëzon Osmanin

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka reaguar pas njohjes së paravarësisë së Kosovës nga Siria. Rudolph ka përgëzuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani...

Kurti pritet nga Macron në Pallatin Presidencial në Paris

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në pallatin presidencial Elysee, ku mori pjesë në darkën...

Të fundit nga rubrika