Komisioni miraton projektligjin për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030

Komisioni për Kulturë, Turizëm dhe Sport ka votuar në parim Projektligjin për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, me shtatë vota për dhe një abstenim.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, gjatë raportimit tha se Ministria, në kuadër të mandatit të saj, ka paraparë hartimin e këtij projektligji, duke theksuar rëndësinë historike të organizimit të kësaj ngjarjeje në Kosovë.

Gashi theksoi se qëllimi i ligjit është përcaktimi i rregullave dhe procedurave, si dhe i detyrave dhe përgjegjësive të institucioneve për organizimin e këtij eventi, ndërsa shtoi se qeveria do të ndajë fonde publike për këtë qëllim në shumë prej të paktën 253 milionë e 445 mijë e 501 euro.

“Ministria e Sportit dhe Rinisë, në kuadër të mandatit të saj, ka paraparë hartimin e këtij projektligji. Për herë të parë në historinë e saj, Kosova do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare, ngjarja më e madhe sportive e organizuar deri më sot në vendin tonë. Ky projektligj është në interes të lartë publik dhe kombëtar, i cili përveç fuqizimit të infrastrukturës sportive dhe zhvillimit ekonomik, e vendos Kosovën në hartën ndërkombëtare si një vend që organizon ngjarje të mëdha, si dhe përfaqëson një investim të rëndësishëm në zhvillimin e të rinjve, avancimin e sportit dhe fuqizimin e imazhit të shtetit”.

“Ky ligj ka për qëllim përcaktimin e rregullave dhe procedurave, si dhe të detyrave e përgjegjësive të institucioneve shtetërore dhe subjekteve të tjera në lidhje me organizimin dhe funksionimin e edicionit 21 të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Përmes këtij ligji, qeveria e Republikës së Kosovës do të miratojë shfrytëzimin e fondeve publike për organizimin e Lojërave Mesdhetare në shumë prej të paktën 253 milionë e 445 mijë e 501 euro”.

“Ky projektligj rregullon gjithashtu kompetencat e Komitetit Olimpik të Kosovës, të Komunës së Prishtinës, si dhe të komunave të tjera, të cilat do të përmbushin obligimet e tyre në raport me organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Në përputhje me mbështetjen financiare të garantuar nga qeveria e Republikës së Kosovës në dokumentin e kandidaturës, burimi kryesor i financimit për organizimin e Lojërave Mesdhetare do të jetë buxheti i shtetit të Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës, përkatësisht Ministria e Sportit dhe Rinisë, e ka sportin prioritet. Duke pasur parasysh se Kosova tashmë ka marrë përsipër organizimin e këtyre lojërave që do të mbahen në vitin 2030, është e domosdoshme adresimi i një sërë kërkesash obligative, ndër të cilat është krijimi i kushteve sa më të mira për zhvillimin e ngjarjes sportive në vend. Gjithashtu, konsiderojmë se përmes këtij projektligji do të krijohen mekanizma adekuatë për organizimin e ngjarjes sportive, duke paraparë bashkëpunimin institucional dhe duke siguruar që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për realizimin sa më të suksesshëm të tyre”, tha ai./EO

Shija e redaktorit

Ipeshkvi Dodë Gjergji uron Fitër Bajramin nga BIK-u: Thirrje për...

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e festës së Fitër Bajramit, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare. Së...

Për nder të 32-vjetorit të themelimit, shtëpia botuese “Dukagjini” dhuron...

E themeluar më 14 mars 1994, në një periudhë sfiduese për librin, arsimin dhe kulturën shqiptare në Kosovë, shtëpia botuese “Dukagjini” sot shënon 32-vjetorin...

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Të fundit nga rubrika