Kompania e transportit urban “24 Yjet” SH.A ka njoftuar se nga nesër, 24 nëntor 2025, do të pezullojë operimin në të gjitha linjat me të cilat shërben në komunën e Prishtinës, përfshirë linjat 10, 10A, 10B, 10C dhe linjën 20.
Në njoftimin e publikuar nga kompania në Facebook theksohet se “24 Yjet”, që operon në kryeqytet që nga viti 2005, nuk ka ndalur asnjëherë punën pavarësisht vështirësive, por është detyruar të ndërmarrë këtë hap për shkak të mospagesave nga Komuna e Prishtinës.
Sipas kompanisë, që nga lidhja e kontratës me komunën më 1 janar 2025, shërbimet janë ofruar rregullisht, por pagesat kanë munguar që nga muaji maj, duke e bërë të pamundur mbulimin e shpenzimeve të funksionimit. Kompania thekson se ka zhvilluar takime të vazhdueshme me zyrtarët komunalë, por pa rezultat.
“Shpresojmë që përgjegjësit të reflektojnë dhe të kthehemi sa më shpejt me shërbimet tona. Pa pagesën e obligimeve ndaj kompanisë sonë nuk mund të rifillojmë operimin”, thuhet ndër të tjera në komunikatë, duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve të prekur nga pezullimi.