Qyteti i Pejës të hënën e ka shënuar ditën e çlirimit ku Komuna është përkujdesur që qytetarëve t’iu ofrojë aktivitete të ndryshme.
Dita nisi me seancën solemne të Kuvendit komunal kushtuar kësaj dite për të vazhduar me ekspozitën që i është kushtuar xhudistëve të qytetit të Pejës dhe pasdite, në sheshin qendror është mbajtur një manifestim artistik e muzikor.
Në fund, si shenjë falënderimi për kontributin e tyre, Komuna e Pejës ka nderuar disa personalitete, përfshirë kryetarin e parë të kësaj komune, Zija Mullhaxha, afaristët Shkëlqim e Blerim Devolli e qytetar nderi është shpallur edhe pronari i korporatës “Dukagjini”, Ekrem Lluka.
Lluka falënderoi Komunën e Pejës dhe të gjithë ata që vlerësuan angazhimin e tij.
Ekrem Lluka – Pronar i Korporatës Dukagjini
Ndërkohë pos tyre, komuna e Pejës ka nderuar edhe personalitete tjera, përfshirë këtu edhe filantropin, Halil Kastrati.
Kastrati tha se kontributin e tij filantropik e ka nisur në qytetin e Pejës pikërisht me ndihmën e familjes, Lluka.
Halil Kastrati – Filantrop Shënimi i ditës se çlirimit të Pejës është përcjell edhe me aktivitete tjera artistike.
Fjalimi i plotë i Z. Lluka:
Të nderuar të pranishëm, Të dashur bashkëqytetarë, I nderuar Kryetar,
Jam thellësisht mirënjohës për nderin që më bëhet sot.
Ky vlerësim nuk i takon vetëm personit tim, por të gjithë atyre që kanë kontribuar me përkushtim për një Pejë më të mirë.
Ky nder më obligon edhe më shumë të mbetem në shërbim të qytetit tim.
Jam veçanërisht falënderues ndaj qytetit tim që më ka dhënë mundësinë të rritem, të kontribuoj dhe të ëndërroj brenda tij.
Qytetarëve të Pejës për besimin dhe respektin që më kanë dhënë ndër vite.
Punëtorëve të Dukagjinit, të cilët kanë qenë themeli i çdo arritjeje, dhe familjes sime që ka mbajtur peshën e çdo suksesi me përkushtim e durim.
Ju falënderoj me përulësi.
