Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët për reshje shiu gjatë natës dhe ditës së enjte teksa sipas tyre në disa lokacione mund të jenë më intensive.
Sipas komunës, gjatë orëve të natës reshjet pritet të shndërrohen në borë, fillimisht në zonat më të larta dhe më pas edhe në viset më të ulëta. Temperaturat do të bien nga -2 gradë deri në -4 gradë Celsius, ndërsa në zonat kodrinoro-malore (Gollak – Llap) deri në -6 gradë Celsius, njofton Dukagjini.
Kësisoj, komuna e Prishtinës ka apleuar për kujdes të veçantë gjatë qarkullimit rrugor për shkak të rrugëve të lagështa dhe ngricave të mundshme, si dhe për këmbësorët, sidomos në orët e mëngjesit, veçanërisht në zonat më të larta dhe periferike të kryeqytetit.
“Ju ftojmë që të bashkëpunoni me institucionet e Kryeqytetit, të respektoni udhëzimet zyrtare dhe të raportoni çdo situatë që paraqet rrezik për sigurinë publike. Faleminderit për mirëkuptimin dhe kujdesin tuaj. Qëndroni të informuar dhe të sigurt”, përfundon njoftimi.