Konferenca Rajonale për Ndërkombëtarizimin e Arsimit të Lartë hapet në Shkup

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Banka Botërore dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë së Veriut sot nisën një konferencë rajonale për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore në Shkup. Në një kohë kur sistemet arsimore po transformohen me shpejtësi nën ndikimin e digjitalizimit dhe konkurrencës globale, bashkëpunimi rajonal po bëhet një shtytës kyç i cilësisë dhe relevancës.

Ngjarja me titull “Ndërtim i Urave: Ndërkombëtarizimi i Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore” mbledh ministra rajonalë të arsimit dhe funksionarë të lartë, hartues politikash, drejtues universitetesh, institucione të sigurimit të cilësisë, përfaqësues të industrisë dhe ekspertë ndërkombëtarë për të avancuar një agjendë të përbashkët për forcimin e sistemeve të arsimit të lartë përmes ndërkombëtarizimit.

Ngjarja u hap nga Vesna Janevska, Ministre e Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë së Veriut, Amer Kapetanoviç, Sekretar i Përgjithshëm i RCC-së, dhe Xiaoqing Yu, Drejtore e Divizionit të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

“Duke e organizuar këtë konferencë nën patronazhin e saj, Qeveria e Maqedonisë së Veriut thekson rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe ndjekjes praktike të rezultateve. Objektivi ynë është të kalojmë përtej dialogut, drejt një harte të përbashkët rajonale që promovon ekselencën, përmirëson cilësinë dhe zgjeron mundësitë për studentët, studiuesit dhe universitetet,” tha Vesna Janevska.

Ndërsa rajoni i afrohet më shumë integrimit në Bashkimin Evropian (BE), ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë shihet gjithnjë e më tepër si një agjendë e përbashkët rajonale. Duke u mbështetur në progresin e arritur përmes Tregut të Përbashkët Rajonal – si marrëveshjet për lehtësimin e lëvizshmërisë së studentëve, njohjen e kualifikimeve profesionale dhe zvogëlimin e pengesave për qarkullim – konferenca eksploron mënyrat se si bashkëpunimi mes universiteteve, industrisë dhe politikëbërësve rrit më tej cilësinë, rëndësinë dhe ndikimin e arsimit të lartë.

Në një botë ku informacioni qarkullon menjëherë, sistemet arsimore duhet të sigurojnë që dija të ruajë vlerën e saj. Për Ballkanin Perëndimor, kjo nënkupton forcimin e lëvizshmërisë, përmirësimin e cilësisë dhe lidhjen më të mirë të sistemeve tona, në mënyrë që mundësitë për të rinjtë të mos jenë të kufizuara. Rajoni ynë tashmë ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të ulur barrierat dhe për t’u mundësuar studentëve dhe profesionistëve të lëvizin, të mësojnë dhe të punojnë më lirshëm. Hapi i radhës është të sigurojmë që sistemet tona të jenë të harmonizuara, të krahasueshme dhe të afta të ofrojnë mundësi reale në të gjithë rajonin. Bashkëpunimi rajonal nuk është një opsion, por e vetmja rrugë për t’i bërë sistemet tona arsimore të gatshme për të ardhmen,” tha Amer Kapetanoviç, Sekretar i Përgjithshëm i RCC.

Programi i konferencës përfshin një tryezë ministrore mbi konkurrueshmërinë globale dhe përafrimin me BE-në, panele politikash që trajtojnë lëvizshmërinë, inovacionin dhe partneritetet me industrinë, sigurimin e cilësisë, qeverisjen dhe financimin, si edhe sesione tematike pune të përqendruara në shndërrimin e prioriteteve politike në zbatim konkret. Këto sesione mbulojnë fusha si sistemet e qeverisjes dhe të sigurimit të cilësisë, partneritetet mes universiteteve dhe industrisë, lëvizshmërinë e të rinjve dhe qarkullimin e trurit.

“Ndërkombëtarizimi i mundëson rajonit të bashkëpunojë në vend që të konkurrojë. Kjo konferencë demonstron forcën e një qasjeje rajonale ndaj zhvillimit dhe reformës së arsimit të lartë, ku universitetet dhe industria bashkëpunojnë përtej kufijve për të krijuar aftësi, inovacione dhe mundësi për krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin e fuqisë punëtore, që asnjë institucion apo sistem i veçuar nuk mundet t’a ofrojë i vetëm” tha Xiaoqing Yu.

Konferenca do të shërbejë si bazë për përgatitjen e një draft-dokumenti politikash rajonale dhe një udhërrëfyesi për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore. Ky udhërrëfyes do të përmbledhë praktikat e mira dhe veprimet prioritare të identifikuara gjatë konferencës, si dhe do të ofrojë udhëzime për bashkëpunim të koordinuar në nivel rajonal.

Konferenca është pjesë e aktiviteteve të Strategjisë SEE2030, duke kontribuar në qëllimet e saj për avancimin e bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimit.

Shija e redaktorit

Ipeshkvi Dodë Gjergji uron Fitër Bajramin nga BIK-u: Thirrje për...

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e festës së Fitër Bajramit, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare. Së...

Për nder të 32-vjetorit të themelimit, shtëpia botuese “Dukagjini” dhuron...

E themeluar më 14 mars 1994, në një periudhë sfiduese për librin, arsimin dhe kulturën shqiptare në Kosovë, shtëpia botuese “Dukagjini” sot shënon 32-vjetorin...

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Të fundit nga rubrika