Nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca, ka deklaruar se ndarja politike mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit ka qenë zgjedhje e vetë Osmanit, duke shtuar se kjo ka pamundësuar mbështetjen e plotë të Lëvizjes Vetëvendosje për të.
Konjufca, në emisionin “Debat Plus” në Dukagjin, u shpreh se, sipas tij, pas “ndarjes së rrugëve”, Vetëvendosje nuk mund të veprojë me logjikën “all in” në favor të Osmanit, pavarësisht kalkulimeve politike apo numrave.
Megjithatë, Konjufca thekson se e respekton Osmanin në aspektin demokratik, por kritikon mënyrën se si ajo, sipas tij, po ndërton narrativën politike ndaj Kurtit dhe Vetëvendosjes.
“Pozicioni i Vetëvendosjes është kështu – rrugët e ndara dhe kjo është zgjedhje e zonjës Osmani e kanë pru pamundësinë e propozimit të saj dhe që ne me hy ‘all in’ për të. Me thënë që pavarësisht a janë 79 a 81 ndoshta janë 81, por ndoshta nuk janë 81, po edhe nëse janë 79 krejt për Vjosa Osmanin del ku të del le të bëjmë – kështu nuk mundësh pas ndarjes së rrugësve dhe ndarjen e rrugës nuk e kemi bërë ne e ka zgjedh Vjosa Osmani. Respekt maksimal në kuptimin e demokracisë, por mjetet që po i përdorë për atë hapësirë mua nuk më duken fer se prej asaj kur e ke duartrokitë Albinin e ke thënë me të s’ka tash duhet me luftu e me shpikë fjalë ‘tash duhet me thënë Albini është me Serbinë’ – kjo është ajo vija e demarkacionit që nuk mund të pajtohemi me Vjosa Osmanin”, deklaroi Konjufca.
Ai shtoi se ‘murin’ politik mes Vetëvendosjes dhe Osmanit nuk e ka krijuar partia, por vetë ish-presidentja me veprimet dhe deklaratat e saj publike.
“Vetëvendosje atë vijën e kuqe dhe murin e madh nuk e kemi kriju ne e ka zgjedh Vjosa Osmani. Po mos të kishte goditur më 2024 në sytë e 7 milionë shqiptarëve e aty kanë qenë edhe 100 misione diplomatike që kanë mbajt shënime se si ‘presidentja i qepon qeverisë’ ato kishin mbet mospajtime të Osmanit me Kurti në takimet që kanë pasur se si me ja bë në veri e gjëra të tjera. Por, unë nuk jap detaje nga takimet e tyre, kjo e dëmton shtetin dhe nuk them asgjë”, u shpreh Konjufca.