Kontrollet e reja biometrike në kufijtë e Evropës, hyn në fuqi sistemi i ri dixhital

Bashkimi Evropian po përgatitet të zëvendësojë vulosjen e pasaportave me një sistem të ri dixhital për menaxhimin e kufijve, i cili pritet të hyjë në fuqi në 12 tetor.

Qytetarët australianë dhe të vendeve të tjera jashtë BE-së që udhëtojnë drejt Evropës mund të përballen me sistemin e ri të hyrje-daljeve biometrike (Entry/Exit System – EES).

Të gjithë qytetarët joevropianë që udhëtojnë drejt zonës Shengen, e cila përfshin 29 shtete, nga të cilat 25 janë pjesë e BE-së dhe katër të tjera si Zvicra, Norvegjia, Lihtenshtajni dhe Islanda do të regjistrohen përmes sistemit të ri dixhital.

Irlanda dhe Qiproja do të vazhdojnë me procedurat manuale të kontrollit të pasaportave. Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar nuk është pjesë e zonës Shengen.

Në vend të vulave në pasaportë, sistemi EES do të regjistrojë të dhënat biometrike të udhëtarëve si fytyrën dhe gjurmët e gishtërinjve si dhe datat e hyrjes dhe daljes.

“Sistemi EES do të zëvendësojë gradualisht vulosjen e pasaportave me një sistem dixhital që regjistron automatikisht hyrjen dhe daljen e udhëtarëve, duke përshpejtuar kontrollin kufitar dhe duke ndihmuar punonjësit të jenë më efikasë”, thuhet në faqen zyrtare të BE-së.

Sistemi gjithashtu synon të ndihmojë në parandalimin e migrimit të parregullt dhe të forcojë sigurinë duke i ofruar autoriteteve kufitare më shumë akses në informacionet e udhëtarëve.

Zbatimi i sistemit nis këtë fundjavë, por do të jetë një proces i përshkallëzuar. Pritet që EES të jetë plotësisht funksional deri më 10 prill 2026.

Kush do të preket nga ndryshimi?

Të gjithë udhëtarët që nuk kanë pasaportë të një vendi të BE-së dhe që udhëtojnë për qëndrime afatshkurtra në zonën Shengen do të regjistrohen në sistemin EES. Shërbimi do të jetë falas. Qëndrim afatshkurtër konsiderohet deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore, dhe kjo periudhë llogaritet për të gjitha vendet pjesëmarrëse në EES si një e tërë.

Nëse udhëtarët përdorin sistemet elektronike të vetëshërbimit në pikat kufitare ose aplikacionin celular (nëse ofrohet nga vendi pritës), kalimi i kufirit do të jetë më i shpejtë.

Çfarë duhet të bëjnë udhëtarët?

Pas mbërritjes, udhëtarët duhet të përgjigjen ndaj pyetjeve standarde të kodit kufitar Shengen, çka do të krijojë një profil dixhital që ruhet për tre vjet. Brenda kësaj periudhe, për hyrje të mëvonshme, do të përdoren vetëm gjurmët e gishtave ose fotografia.

Faqja zyrtare e qeverisë australiane për udhëtime, Smartraveller, paralajmëron se në fillim mund të ketë radhë më të gjata në kufi: “Procesi i regjistrimit zgjat vetëm disa minuta, por në fillim të zbatimit mund të ketë vonesa.”

Qëndrim më shumë se 90 ditë?

Australia ka marrëveshje për përjashtim nga viza me disa vende të zonës Shengen, përfshirë Austrinë, Belgjikën, Danimarkën, Finlandën, Gjermaninë, Islandën, Luksemburgun, Holandën, Norvegjinë dhe Suedinë. Secili nga këto shtete ka rregulla të veçanta për qëndrime të zgjatura. Prandaj, udhëtarët që planifikojnë të qëndrojnë më shumë se 90 ditë duhet të informohen për kushtet specifike të vendit përkatës./Euronews.al

Shija e redaktorit

Mijëra dronë “Skydagger” mbërrijnë në Prishtinë, njofton Kurti: FSK po...

Kontejnerë që mbajnë mijëra dronë luftarakë kamikazë të markës Skydagger mbërritën sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, njoftoi kryeministri në detyrë Albin Kurti. Sipas Kurtit,...

Përballja e madhe për Prishtinën: Rama, Çeku e Ismaili më...

Më 9 tetor, e enjte në Debat plus, do të zhvillohet një debat mes tre kandidatëve për kryetar të Prishtinës. Pjesëmarrjen e ka konfirmuar sot...

”Lufta e UÇK-së ishte një pelegrinazh”- Ish-komandant “Remi”: Në UÇK...

Rrustem Mustafa, ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, është pyetur për Albin Kurtin nëse është veteran i UÇK-së, pasi ai e ka...

Të fundit nga rubrika