Koreja e Jugut ka prezantuar një paketë të re investimesh dhe partneritetesh në fushën e inteligjencës artificiale (AI), me vlerë të përgjithshme prej rreth 950 miliardë dollarësh, duke përfshirë kompanitë Samsung Electronics, SK Group dhe gjigantë amerikanë të teknologjisë.
Njoftimi u bë pas Samitit për Inteligjencën Artificiale të mbajtur në San Francisko, ku presidenti koreano-jugor Lee Jae Myung theksoi synimin e vendit për të forcuar pozicionin si një nga qendrat kryesore globale të zhvillimit të AI-së.
Sipas Shtëpisë Blu presidenciale, SK Group ka arritur marrëveshje me vlerë rreth 750 miliardë dollarësh, ndërsa SK Hynix ka lidhur një partneritet me Nvidia me vlerë mbi 500 miliardë dollarë për avancimin e teknologjive të gjysmëpërçuesve. Ndërkohë, Samsung Electronics njoftoi një memorandum mirëkuptimi me Broadcom, që parashikon bashkëpunim deri në 200 miliardë dollarë në prodhimin e çipave të memories, shërbimet e fabrikimit dhe paketimin e avancuar, raporton Reuters përcjell Dukagjini.
Këto marrëveshje vijnë në një kohë kur kërkesa globale për çipa të avancuar dhe infrastrukturë kompjuterike për inteligjencën artificiale po rritet me ritme të shpejta, duke tejkaluar kapacitetet aktuale të prodhimit. Për këtë arsye, kompanitë amerikane të teknologjisë po intensifikojnë bashkëpunimin me prodhuesit kryesorë të gjysmëpërçuesve në Korenë e Jugut.
Gjatë samitit, presidenti Lee deklaroi se Koreja e Jugut synon të udhëheqë zhvillimin e epokës së re të inteligjencës artificiale përmes partneritetit me kompanitë më të mëdha teknologjike në botë. Ai prezantoi gjithashtu “Deklaratën e AI-së të San Franciskos”, një dokument që përcakton vizionin e vendit për bashkëpunim strategjik me Shtetet e Bashkuara në fushën e inteligjencës artificiale.
Në kuadër të vizitës, Lee zhvilloi takime të veçanta me drejtuesit e Nvidia, Jensen Huang, OpenAI, Sam Altman, Anthropic, Dario Amodei, dhe Broadcom, Hock Tan, për të diskutuar zgjerimin e bashkëpunimit teknologjik dhe investimeve në sektorin e AI-së.