Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar raport të detajuar nga Prokuroria Themelore në Pejë për mënyrën se si janë trajtuar rastet e raportuara nga Arlinda Zekaj, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, është autorizuar edhe koordinatori nacional për rastet e dhunës në familje që të analizojë të gjitha veprimet e ndërmarra nga institucionet në trajtimin e rasteve të viktimës.
Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, është ngarkuar të dorëzojë një raport me shkrim, ku përfshihet kronologjia e trajtimit të rasteve, veprimet procedurale të ndërmarra, vendimet e nxjerra, vlerësimi i rrezikut ndaj viktimës dhe masat e marra për mbrojtjen e saj.
Raporti duhet të përfshijë edhe komunikimin me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera, si dhe mënyrën se si është trajtuar shkresa e viktimës e datës 22 tetor 2026.
Po ashtu, Inspektoratit Policor të Kosovës i është kërkuar të ndërmarrë veprimet hetimore dhe verifikuese lidhur me trajtimin e rasteve të raportuara nga Zekaj në polici. Kjo përfshin shqyrtimin e mënyrës së pranimit dhe evidentimit të raportimeve, vlerësimin e rrezikut dhe veprimet e ndërmarra nga zyrtarët policorë.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe raporteve, do të ndërmerren veprimet e nevojshme ligjore dhe institucionale.
Sipas njoftimit thuhet se në rast se konstatohen shkelje ligjore, neglizhencë apo mosveprime nga zyrtarët përgjegjës, do të kërkohet llogaridhënie dhe do të ndërmerren masat përkatëse.