Periudhat përgjatë viteve të fundit kanë treguar se çdo herë kur Kosova përballet me vërshime, janë pothuajse të njëjtat komuna që pësojnë më së shumti dëme.
Skenderaj, Malisheva, Gjakova, Prizreni e Mitrovica rezultojnë ndër më të dëmtuarat kësaj radhe, me shtëpi që janë kthyer në të pabanueshme, biznese të dëmtuara e dhjetëra familje të evakuuara.
E, pavarësisht se rreziqet tashmë dihen, edhe vërshimet e ditëve të fundit zunë komunat dhe nivelin qendror papërgatitur.
Sipas profesorit, Zeqir Veselaj që merret me mjedisin dhe zhvillimin e qëndrueshëm, si niveli qendror ashtu edhe ai lokal, investimet në infrastrukturë i bëjnë vetëm për qëllime elektorale.
“Realisht, ka do ndërhyrje të vogla por prej asaj që po shoh shkojnë rregullohet argjinaturat e shtretërve vetëm në pjesët ku shihen çka kanë efekt elektoral sepse duken bukur por vërshimet nuk i zgjedhin ato pjesë. Ndodhin aty ku nuk i shohim. Po menoj që Komunat duhet përgatitur me investime konkrete vjetore sepse më se kemi pikëpyetje a do të ndodhin vetëm datën dhe periudhat. Vit pas viti duhet rregulluar e sidomos rrjedhën e kanalizimeve atmosferike të komunave të tyre”, u shpreh Veselaj.
Tutje, profesori Veselaj thotë se komunat duhet të punojnë më shumë për të ndaluar dëmtimin e shtretërve të lumenjve, eksploatimin e rërës dhe zhavorrit.
Ndërsa Drejtoresha Ekzekutive e organizatës mjedisore “EcoZ”, Egzona Shala-Kadiu, shpenzimet këtë vit për kompensim do jenë edhe më të mëdha, si pasojë e mosveprimit për parandalimin e këtyre rasteve.
“…çka dihen është se në vitin 2019 kemi kompensu një milion ndërsa 2022 dhe 2023 kemi kompensu rreth 9 milionë, duke mos përfshirë dëmet e infrastrukturës dhe sipas një vlerësimi që është bërë vetëm Skenderajt i rritet vlera e dëmit 3.75 milionë përafërsisht 4 milionë. Është e vërtetë që po përsëriten por e vërtetë është edhe një këmbëngulësi që kryetarët nuk pajtohen të pranojnë faktin që duhet investuar në parandalim dhe jo mjekim/shërim”, u shpreh ajo.
Në thelb, sipas Shala-Kadiut, problem mbetet edhe legjislacioni në fuqi, që sipas saj, është i mangët.
“Legjislacioni ekzistues për nga aspekti i fatkeqësive natyrore ku hyn vërshimet aspak nuk është i përshtatshëm sepse përgjegjësinë kryesore qoftë te ligji ose strategjia e lent e komunat, ndërsa përgatitjen e kuadrove e len tek institucionet qendrore. Komunës nuk ia mundëson absolut asnjë mekanizëm krijues edhe nëse vullnetarisht dojnë me ndihmu nuk munden. Nuk ka bazë konkrete që komuna të obligohet të investojë financiarisht në infrastrukturë parandaluese. Është fatkeqësi sepse varet nga vullneti politik”, u shpreh Shala-Kadriu.
Nga vërshimet e qershorit të vitit 2023, familje të dëmtuara kanë konfirmuar për Dukagjinin se kompensimet e dëmeve nuk janë paguar ende nga niveli qendror.