“Kosova, për shkak të neglizhencës së Qeverisë, i humbi miliona euro nga Japonia”

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë së Kosovës dhe ministrisë kompetente, duke i akuzuar për neglizhencë të pafalshme që ka sjellë humbjen e një mundësie të jashtëzakonshme financiare dhe teknike nga Japonia në fushën e menaxhimit të mbeturinave.

Në një deklaratë publike, AKK theksoi se ekspertët japonezë kishin përgatitur një projekt-propozim të gatshëm, por autoritetet kosovare nuk e dorëzuan aplikimin, duke bërë që Kosova të humbasë një program shumëvjeçar që përfshinte 1 vit përgatitje dhe 4-5 vite implementim praktik.

Sipas AKK-së, ky projekt do të sillte miliona euro investime dhe modernizim të sistemit të mbeturinave në vend.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka shprehur indinjatën e thellë për faktin se Republika e Kosovës ka humbur një mundësi të jashtëzakonshme për mbështetje financiare dhe teknike nga Japonia në fushën e menaxhimit të mbeturinave. Kjo humbje ka ardhur vetëm si pasojë e neglizhencës së pafalshme të Qeverisë dhe Ministrisë kompetente, të cilat nuk kanë marrë as mundimin të dorëzojnë një projekt-propozim të gatshëm nga ekspertët japonezë.

Sipas AKK, ky është një dështim i rëndë institucional. Përmes projekteve të mëparshme, Japonia i ka dhënë Kosovës mbi 60 kamion për grumbullimin e mbeturinave, duke ndihmuar drejtpërdrejt komunat dhe qytetarët. Ndërsa këtë herë, për shkak të mosveprimit të Ministrisë, Kosova ka humbur miliona euro që do të investoheshin në modernizimin e sistemit të mbeturinave, duke përfshirë një program serioz me 1 vit përgatitje dhe 4-5 vite zbatim praktik.

Është e papranueshme që ndërkohë Presidentja e Republikës së Kosovës, gjatë vizitës së saj në Japoni, ka kërkuar vazhdimin e përkrahjes nga JICA, ndërsa Ministria kompetente në Republikën e Kosovës ka hezituar qëllimisht ose me paaftësi të dorëzojë aplikimin. Ky kontrast tregon mungesë serioziteti dhe koordinimi në nivel shtetëror, duke e vendosur Kosovën në pozitë të palakmueshme para një partneri strategjik si Japonia.

AKK ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me koordinatorin e projektit të JICA dhe e ka përkrahur një program të tillë dhe është dakorduar për përfshirje në këtë iniciativë, por për shkak të papërgjegjësisë së Ministrisë, kjo mundësi tashmë është e humbur.

Ky nuk është thjeshtë një projekt i dështuar por është një goditje e rëndë për komunat dhe qytetarët e Kosovës, të cilët mbesin pa investime jetike për mjedisin dhe shëndetin publik.

Para një kohe të shkurtë MAPL për shkak të neglizhencës së saj ka humbur rreth 12 milion eur nga Komisioni Evropian të dedikuara për komunat e Republikës së Kosovës të cilat ishin për skemën e grantit të përformacës.

AKK kërkon llogaridhënie nga Qeveria dhe bën thirrje që në të ardhmen të mos përsëriten këto gabime skandaloze, sepse Kosova nuk mund të lejojë që për shkak të papërgjegjësisë institucionale të humbasë miliona euro ndihmë ndërkombëtare, të cilat janë jetike për zhvillimin e vendit”, thuhet në reagimin e plotë të AAK-së.

Shija e redaktorit

Spektakël i basketbollit të shtunën në “Karagaç” – Afrim Bilali...

Besëlidhja e Lezhës është skuadra më e suksesshme në Shqipëri vitet e fundit. Dy herë kampione dhe një herë fituese e Kupës - skuadra nga...

TV Dukagjini transmeton ekskluzivisht ndeshjen Peja vs Besëlidhja

Basketbolli rikthehet në TV Dukagjini. Peja vs Besëlidhja, ndeshja parasezonale do të transmetohet direkt në TV Dukagjini të shtunën, nga ora 17:00. Një nga skuadrat më...

Presidentja Osmani dekreton harmonizimin e listës së organizatave terroriste me...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar sot harmonizimin e listës së organizatave të huaja terroriste me urdhrat ekzekutivë të presidentit amerikan,...

Të fundit nga rubrika