Kosova është gati të mirëpresë Turqinë në një ndeshje që pritet të shkojë përtej futbollit, duke u shndërruar në një ngjarje me mesazhe të forta miqësie dhe bashkëpunimi mes dy vendeve.
Tifozët turq konsiderohen më se të mirëpritur, ndërsa, ashtu si në përballjet e mëparshme – përfshirë ato me Anglinë dhe kombëtare të tjera – pritet të ketë aktivitete të përbashkëta me tifogrupin “Dardanët”, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore.
Kjo ndeshje shihet edhe si një mundësi për të avancuar raportet ndërmjet Kosovës dhe Turqisë në një nivel tjetër. Respekti që pritet të tregohet ndaj mysafirëve konsiderohet si një tjetër shembull i mikpritjes shqiptare-dardane.
Përtej aspektit sportiv, ngjarja pritet të ndikojë pozitivisht edhe në fusha të tjera, përfshirë ekonominë dhe turizmin, duke forcuar lidhjet ndërmjet dy vendeve.
Në stadium pritet një atmosferë festive, me koreografi të përbashkëta mes tifozëve, ndërsa “Dardanët” do të respektojnë edhe himnin e Turqisë, në një gjest që synon të theksojë frymën e respektit reciprok.
Ndërkohë, zëra që synojnë të krijojnë tensione apo polarizim vlerësohen si të izoluara dhe që vijnë nga qarqe që nuk i duan interesat e Kosovës, duke u bërë e qartë se ato nuk do të gjejnë hapësirë në këtë ngjarje.