Kosova voton sot

Voton Kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi, u bën thirrje qytetarëve ta shfrytëzojnë drejtën e votës

(7:28) – Kreshnik Radoniqi, kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas votimit të tij në Pejë, është prononcuar për media.

Ai ka thënë se sot po votohet për zgjedhjet nacionale për Kuvendin e Kosovës.

“Dua ta shfrytëzoj këtë rast që t’i ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të dalin dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar, për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.

Radoniqi ka theksuar se nga ana e KQZ-së të gjitha përgatitjet janë bërë, pavarësisht kohës së shkurtër dhe sfidave me të cilat janë përballur.

“Ne kemi arritur të sigurohemi që procesi të fillojë me kohë. Të gjitha trajnimet dhe të gjitha çështjet logjistike janë përfunduar me kohë dhe sot votohet për zgjedhjet nacionale”, ka shtuar ai.

Ai ka bërë të ditur gjithashtu se dje është zhvilluar procesi i votimit në diasporë, i cili sipas tij ka shkuar shumë mirë dhe ka qenë i qetë.

“Një pjesë e atyre që janë regjistruar për të votuar nëpër përfaqësitë diplomatike kanë votuar. Gjatë natës janë mbyllur edhe qendrat e votimit në Uashington, Nju Jork, Toronto dhe Otavë”, ka thënë ndër të tjera Radoniqi.

Hasanaj nga Peja: Gjithçka gati për hapjen e vendvotimeve në Dukagjin

(6:59) – Gazetarja Agnesa Hasanaj, në një lidhje direkte nga Peja, ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të raportojë nga rajoni i Dukagjinit.

Ajo ka thënë se atje janë afër hapjes së vendvotimeve dhe se komisionerët, vëzhguesit dhe materialet për votim janë gati.

“Të drejtë vote në komunën e Pejës kanë 117 mijë e 413 qytetarë, të cilët mund ta shfrytëzojnë këtë të drejtë në 30 qendra votimi”, ka deklaruar ajo.

Hasanaj ka shtuar se Kreshnik Radoniqi, kryetar i KQZ-së, do të bëjë i pari hapjen e votimit, pas së cilës do të japë një deklaratë për media.

Kryeqyteti gati për votim: 219 mijë qytetarë të regjistruar

(6:58)- Gazetari Fatlum Jashari, në një lidhje direkte nga Prishtina, ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të raportojë nga kryeqyteti.

Në një paraqitje para Kuvendit të Kosovës, ai ka thënë se për deputet garojnë 1.180 kandidatë për 120 ulëse në legjislaturën e dhjetë.

Jashari ka shtuar se janë duke u bërë përgatitjet për hapjen e qendrave të votimit, ndërsa ka theksuar se në kryeqytet me të drejtë vote janë mbi 200 mijë qytetarë.

“Të regjistruar janë gjithsej 219 mijë votues”, ka deklaruar ai.

Llozani për zgjedhjet në rajonin e Prizrenit: 187 mijë votues në Prizren, mijëra të tjerë në Dragash e Mamushë

(6:57) –

Gazetari Liridon Llozani, në një lidhje direkte nga Prizreni, ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të raportojë nga ky qytet.

Ai ka thënë se në Prizren po mbizotëron një atmosferë festive, pavarësisht temperaturave të ulëta, ndërsa lëvizja e qytetarëve para hapjes së vendvotimeve është e ulët.

Llozani ka bërë të ditur se, përveç mbulimit të zhvillimeve në Prizren gjatë gjithë ditës, do të raportojë edhe nga Suhareka, Dragashi dhe Mamusha.

Sipas tij, pas Prishtinës, Prizreni ka numrin më të madh të votuesve në Kosovë.

“Janë 187 mijë votues në Prizren, 41 mijë në Dragash dhe 15 mijë votues në Mamushë”, ka deklaruar ai.

Bylykbashi raporton nga Mitrovica e Veriut: Mbi 98 mijë qytetarë me të drejtë vote në Mitrovicë të Jugut dhe atë të Veriut

(6:49) – Gazetarja Doruntina Bylykbashi, në një lidhje direkte nga Mitrovica e Veriut, ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të raportojë nga veriu i Kosovës.

Ajo ka thënë se në Mitrovicën e Jugut të drejtë vote kanë mbi 81 mijë qytetarë, të cilët do ta ushtrojnë këtë të drejtë në 32 qendra votimi, ndërsa në Mitrovicën e Veriut të drejtë vote kanë rreth 17 mijë qytetarë, të cilët do të mund të votojnë në gjashtë qendra votimi.

Bylykbashi ka shtuar se pas raportimit të parë, do të vizitojë edhe qendrën më të madhe të votimit në këtë pjesë.

(6:00) – Rreth dy milionë shtetas të Kosovës do të kenë mundësi të votojnë sot (e diele) më 28 dhjetor në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka konfirmuar se të gjitha përgatitjet janë përmbyllur për zhvillimin normal të procesit zgjedhor.

Sipas KQZ-së, votimi do të zhvillohet në 910 qendra votimi në mbarë vendin, ndërsa numërimi i votave për partitë politike do të nisë menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve. Rezultatet e para pritet të publikohen para orës 20:00 të së dielës.

Zgjedhjet e parakohshme do të përcaktojnë përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës, pasi pas zgjedhjeve të shkurtit dështoi formimi i qeverisë së re. Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë gjithsej 1,999,024 qytetarë.

Një ditë para votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se është bërë shpërndarja e të gjithë materialit zgjedhor. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se fletëvotimet dhe materialet e tjera janë dërguar nga depoja qendrore në qendrat komunale të numërimit dhe se të dielën në mëngjes ato do të shpërndahen në mbi 900 qendra votimi, të cilat do të hapen në orën 07:00.

Përveç vendvotimeve të rregullta, në secilën komunë do të funksionojë edhe nga një qendër për votim me kusht. Sipas KQZ-së, procesi zgjedhor do të zhvillohet në 910 qendra votimi me gjithsej 2,557 vendvotime, ndërsa votimi me kusht do të realizohet në 57 vendvotime të posaçme.

Numërimi i votave për partitë politike do të bëhet në vendvotime, ndërsa numërimi i votave për kandidatët për deputetë do të zhvillohet në qendrat komunale të numërimit dhe do të nisë të hënën më 29 dhjetor.

KQZ ka bërë të ditur se publikimi i rezultateve preliminare do të fillojë në platformën zyrtare para orës 20:00 të së dielës.

Procesi zgjedhor do të monitorohet edhe nga aspekti i sigurisë nga Policia e Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Shtetit, ku janë angazhuar rreth 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial.

Në cilësinë e vëzhguesve, përveç organizatave joqeveritare vendore dhe ndërkombëtare, zgjedhjet do të monitorohen edhe nga Këshilli i Evropës, i cili ka akredituar 23 vëzhgues.

Kosova gjatë këtij viti ka mbajtur edhe zgjedhje të tjera qendrore, si dhe zgjedhje lokale, të cilat janë zhvilluar në dy raunde.

Shija e redaktorit

Pengesë vetoja ruse, “tani Kosova ka numër njohjesh për anëtarësim...

Bahamet u bënë shteti i katërt që njeh Kosovën vetëm brenda vitit 2025, duke shënuar një ringjallje të këtij procesi pas një periudhe shterpe...

Ndihmat humanitare nga Kosova për Gazën nisen me anije nga...

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se anija e ngarkuar me ndihma humanitare nga Kosova për Gazën është nisur nga porti i...

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Të fundit nga rubrika