Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, Dushan Kozarev, ka zhvilluar takime të ndara me ambasadorin e Kubës, Pavel Orensio Dijas Ernandes, dhe ambasadorin e Bjellorusisë, Sergej Malinovski, ku ka shprehur mirënjohjen për qëndrimin e këtyre vendeve ndaj integritetit territorial të Serbisë dhe mosnjohjes së Kosovës.

Gjatë takimit me diplomatin kuban, u theksua miqësia tradicionale mes dy vendeve dhe mbështetja e vazhdueshme e Kubës në arenën ndërkombëtare. Ambasadori Ernandes rikujtoi edhe fjalimin e gjatë të Fidel Castro në vitin 1999 mbi ndërhyrjen e NATO-s në Jugosllavi, duke e cilësuar atë si një moment që ndryshoi mënyrën moderne të luftës.
Në të dy takimet u diskutua për marrëdhëniet bilaterale dhe çështjet rajonale e globale, ndërsa u theksua rëndësia e dialogut diplomatik dhe zgjidhjes paqësore të konflikteve. Gjithashtu, u përmend pjesëmarrja e Kubës në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Beograd dhe u vlerësua bashkëpunimi në fusha të ndryshme.