Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka zgjedhur që me heshtje t’iu përgjigjet kërkesave për të shpalosur arsyetimet për anulimin e konkursit për prokurorë të rinj.
KPK-ja javë më parë, ka anuluar konkursin për prokurorë të rinj, duke mos dhënë asnjë shpjegim për këtë.
Grupi i kandidatëve që ishin në fund të finalizimit të këtij procesi po thonë se KPK-ja nuk iu është përgjigjur ende.
“Lidhur me anulimin e konkursit, ne grupi i kandidatëve për Prokurorë të Shtetit i jemi drejtuar me shkrim KPK-së, mirëpo ende nuk kemi marrë ndonjë përgjigje. Në momentin që do kemi një përgjigje me shkrim nga KPK, të gjithë kandidatët së bashku do të ndërmarrim hapat konkret nëpër të gjitha institucionet kompetente vendore dhe ndërkombëtare lidhur me këtë çështje”, thuhet nga Grupi i kandidatëve për Prokurorë të Shtetit.
Në një përgjigje për televizionin, KPK-ja ka bërë të ditur se “analizën dhe shpalljen e konkursit të ri për prokurorë të shtetit do ta trajtojë përbërja e re e Këshillit Prokurorial të Kosovës”.
“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se analizën dhe shpalljen e konkursit të ri për prokurorë të shtetit do ta trajtojë përbërja e re e Këshillit Prokurorial të Kosovës”, thuhet nga KPK.
Sipas avokatit Ardian Bajraktari, anulimi i konkursit është si rezultat i polarizimeve mes anëtarëve të KPK-së.
“Është dështim i Këshillit për ta menaxhuar si duhet një proces të tillë kaq të rëndësishëm dhe për më tepër kur është në shpërputhje me vetë synimet që duhet të ketë sistemi prokurorial në përgjithësi për faktin se është nevojë e domosdoshmëri shtimi i numrit të prokurorëve..”, ka deklaruar Ardian Bajraktari – Avokat.
Dukagjini ditë më parë, bazuar në burime të afërta me zhvillimet, ka raportuar se njëra nga arsyet që çoi në anulim të konkursit ishte se djali i anëtarit të Këshillit, Jetish Maloku nuk kaloi të gjitha fazat për tu bërë prokuror.