KQZ-ja ia heq Alfred Belerit mandatin e kryebashkiakut të Himarës

Beleri, me shtetësi shqiptare dhe greke, i fitoi zgjedhjet e majit 2023 si kandidat i opozitës për kryetar të Bashkisë së Himarës - qytet i banuar edhe me popullsi greke në jug të Shqipërisë

FOTO:AP

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ) njoftoi të premten se ia ka hequr Alfred Belerit mandatin e kryetarit të zgjedhur të Himarës, pasi Gjykata e Apelit e mbajti në fuqi dënimin e tij me burgim muajin e kaluar.

“Jemi në kushtet e humbjes së mandatit të kryetarit të Bashkisë Himarë dhe e shpallim të pavlefshëm këtë mandat”, tha të premten Ilirjan Celibashi, kreu i KQZ-së.

Beleri, me shtetësi shqiptare dhe greke, i fitoi zgjedhjet e majit 2023 si kandidat i opozitës për kryetar të Bashkisë së Himarës – qytet i banuar edhe me popullsi greke në jug të Shqipërisë.

Por, ai u arrestua pak ditë para zgjedhjeve nën dyshimet për blerje votash dhe u dënua me dy vjet burgim në mars. Apeli e konfirmoi dënimin e tij në qershor.

Beleri ishte i pranishëm në seancën që u zhvillua në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të premten. Ai u përcoll nga forcat e policisë nga burgu i Fierit, ku po e vuan dënimin.

Ai bëri thirrje që çështja e vlefshmërisë së mandatit të tij të zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.

“Jam i qartë që mandati im si kryetar bashkie ka mbaruar, por duket qartë arroganca e tyre që t’i bëjnë votimet në gusht. Pse KQZ t’i bashkohet kësaj kërkesë. Kam frikë se gjysma e bashkisë do të vërë në burg”, tha Beleri.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi ta shqyrtojë vlefshmërinë e mandatit të kryebashkiakut të Himarës, pas një kërkese të dorëzuar nga kryetari i forumit të të rinjve socialistë të Himarës.

Ekipi mbrojtës i Belerit ka një muaj kohë për t’u ankuar ndaj vendimit në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve.

Beleri nuk u betua asnjëherë si kryetar i Himarës, pasi ndodhej në paraburgim dhe më pas u dënua, për akuzat që ai dhe ekipi i tij i kanë hedhur poshtë si “politike dhe të pabazuara”.

Dënimi i tij nxiti fërkime mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Ministria e Jashtme e Greqisë tha se “dënimi dyvjeçar është padyshim joproporcional me masën e veprës së supozuar”.

Partia e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, e emëroi pastaj atë kandidat për zgjedhjet për Parlamentin Evropian, të cilat u mbajtën nga data 6 deri më 9 qershor, ku ai u zgjodh deputet.

Zgjedhja e Belerit si deputet i Parlamentit Evropian shkaktoi polemika – si për legjitimitetin e tij, ashtu edhe për ndikimin e rastit të tij në integrimin evropian të Shqipërisë.

Juristë dhe ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se rasti i tij ngre shqetësime kushtetuese dhe ligjore.

Sipas tyre, ai mund të ndikojë edhe në përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por edhe në marrëdhëniet e saj me Greqinë./REL

Shija e redaktorit

Për nder të 32-vjetorit të themelimit, shtëpia botuese “Dukagjini” dhuron...

E themeluar më 14 mars 1994, në një periudhë sfiduese për librin, arsimin dhe kulturën shqiptare në Kosovë, shtëpia botuese “Dukagjini” sot shënon 32-vjetorin...

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Dukagjini Resort dhe The Northern prezantohen në panairin më të...

Projekti Dukagjini Resort së bashku me The Northern do të marrin pjesë në MIPIM Cannes, panairin më të madh ndërkombëtar patundshmërisë në botë. Projekti do...

Të fundit nga rubrika