Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se periudha e votimit përmes postës për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash do të përfundojë më 8 nëntor.
Ky proces u mundëson qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë në zgjedhjet lokale.
Sipas njoftimit, 29,712 shtetas të Republikës së Kosovës janë regjistruar me sukses për votim jashtë vendit gjatë periudhës së paraparë për regjistrim, që zgjati nga 23 korriku deri më 29 gusht 2025.
KQZ u ka bërë thirrje të gjithë votuesve të regjistruar jashtë Kosovës që të kontrollojnë kutitë e tyre postare, në rast se ende nuk kanë pranuar pakon me fletëvotim.
” Pas komunikimit me Postën e Kosovës, njoftojmë se një numër i dërgesave të padorëzuara në disa shtete në sistem figuron se pranuesve të pakove u është lënë njoftim për paraqitje, andaj është e nevojshme që të kotrollojnë kutitë e tyre postare, pasi kanë mundur të mos vërejnë këto njoftime.
Periudha e votimit përmes postës për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave vlenë vetëm për 29,712 shtetasit e Republikës së Kosovës që janë regjistruar me sukses si votues jashtë vendit gjatë afatit të përcaktuar për regjistrim (23 korrik – 29 gusht 2025).
Në përputhje me detyrimet e përcaktuara në Rregulloren Zgjedhore Nr. 04/2025 për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, KQZ do të sigurohet që shtetasve të Kosovës të regjistruar për votim me postë t’ua dërgojë përmes postës pakon me fletëvotim.
Zarfi i cili do t’i dërgohet votuesit, përmban:
- fletëvotimin;
- zarfin e fshehtësisë;
- udhëzuesin me informacione se si plotësohen fletëvotimet dhe si realizohet votimi përmes postës; dhe
- zarfin kthyes dhe shiritin mbyllës.
Në votimin jashtë Kosovës për votim me postë, detyrë e votuesit është që pakon me fletëvotim ta dërgojë në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së. Në shumicën e këtyre zarfeve, KQZ ka shënuar paraprakisht adresën e kutisë postare në shtetin përkatës të votuesit të regjistruar. Në rastet kur adresa nuk është shënuar nga KQZ, votuesi duhet ta shënojë njërën nga adresat e kutive postare të KQZ”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.