Kandidati i PDK-së për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, ka komentuar në një intervistë për T7 një fotografi të realizuar gjatë luftës në malet e Berishës, ku shihet krah për krah me Hashim Thaçin dhe Fatmir Limajn.
“Jam me Fatmir Limajn dhe Hashim Thaçin, udhëheqësin dhe drejtorin politik. Ka qenë një dimër i ashpër, por kemi marrë disa fotografi, të cilat kanë mbetur kujtime të jashtëzakonshme nga ajo kohë e luftës”, ka thënë Buja, duke shtuar se edhe pse ka bërë më pak fotografi se të tjerët, ato pak që kanë mbetur janë “të vlefshme dhe i rezistojnë kohës”.
Ai ka kujtuar edhe fotografitë me komandantin Komanovan dhe komandant Çelikun, të dy të plagosur, si dhe me Agim Bajramin, por jo gjatë luftës, pasi aparati i tij ishte djegur gjatë ofensivës serbe.
“Po, ka shumë dokumentacion që dëshmon periudhën më të lavdishme të historisë së popullit tonë, por edhe timen personale”, ka shtuar ai.
Në intervistë, Buja është ndalur edhe te masakra e Reçakut, të cilën e ka quajtur njërën nga ngjarjet më të rënda të luftës.
Ai ka përmendur komunikimin me diplomatin amerikan William Walker, i cili kishte parë nga afër gjendjen pas masakrës.
“Ne gjithmonë kemi raportuar për lëvizjet e forcave serbe në rrugën Shtime–Ferizaj dhe Shtime–Grykë e Saraqevës, për ripozicionimin e tyre. Kemi pasur njoftime se rreziku më i madh ishte në Dremjak dhe në Reçak”, ka deklaruar Buja.
Ai ka treguar se gjatë asaj kohe forcat e UÇK-së ishin të pozicionuar mbi fshatin Reçak.
“Na ishte sugjeruar të ruanim shpinën, sepse serbët kishin dalë pas shpine edhe më herët, në pranverën e vitit 1998”, ka theksuar ai.