Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka reaguar ndaj sjelljeve të dy anëtarëve nga Lëvizja Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, duke i akuzuar ata për shkelje të betimit dhe për dëm të drejtpërdrejtë ndaj integritetit të procesit zgjedhor në Kosovë.
Në një postim të publikuar në Facebook, Krasniqi thekson se veprimet e tyre bien ndesh me detyrimet ligjore dhe etike të anëtarëve të KQZ-së, të cilët betohen të ushtrojnë funksionin me “ndershmëri, paanshmëri dhe profesionalizëm”.
“Anëtarët e KQZ-së betohen se do t’i kryejnë detyrat me ndershmëri, paanshmëri dhe profesionalizëm. Ligji parasheh se mandati i një anëtari mund të ndërpritet kur sjelljet apo veprimet e tij e dëmtojnë seriozisht statusin dhe integritetin e Komisionit. Një vendim i tillë merret me shumicën prej dy të tretave (2/3) të anëtarëve të KQZ-së.
Dy anëtarët e emëruar nga LVV kanë shfaqur sjellje që ose tregojnë mosnjohje elementare të ligjeve, ose synim të ndërgjegjshëm për të dëmtuar procesin zgjedhor. Çdo njëra prej këtyre mjafton për t’i shkarkuar nga detyra – dhe rastet e grumbulluara deri më tani janë të shumta. Mjafton të lexohen reagimet e fundit të shteteve mike të Kosovës për të kuptuar qartë se si po vlerësohen veprimet e tyre destruktive. Këta dy anëtarë po i shkaktojnë dëm të drejtpërdrejtë integritetit të KQZ-së dhe besimit publik në procesin zgjedhor.
Ndërsa anëtarët tjerë duhet të tregojnë më shumë guxim dhe t’i qëndrojnë prapa betimit të dhënë për paanshmëri dhe profesionalizëm”, ka shkruar Krasniqi.